Shqipëri

U largua si emigrante 7 vjeçare, Hatixhe Çollaku kthehet në Shqipëri si oficere në ushtrinë amerikane

E larguar si një vajzë e vogël emigrante shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Hatixhe Çollaku është rikthyer me mision trajnimi të ushtrisë amerikane për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Kur u largua në moshën 7-vjeçare vështirë ta mendonte rikthimin në atdheun e shqiptarëve, e për më shumë si ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Ambasada amerikane në Tiranë publikoi një video në Facebook me rrëfimin e Togeres së Parë Hatixhe Çollaku (https://www.facebook.com/usembassytirana/videos/574523213740341).

“Togerja Hatixhe Çollaku u largua nga Shqipëria me familjen drejt Shteteve të Bashkuara kur ishte vetëm shtatë vjeç. Tani, ajo kthehet në Shqipëri si komandantja e parë në Kompaninë e Inteligjencës të Gardës Kombëtare të New Jersey, së bashku me kolegët e saj, për të trajnuar Forcat e Armatosura Shqiptare mbi përdorimin sistemeve ajrore pa pilot PUMA, dhuruar nga Shtetet e Bashkuara. Dëgjoni historinë e saj”-shkruan ambasada në Facebook.

E graduara Togere e Parë Hatixhe Çollaku ajo është Komandante e Kompanisë së Inteligjencës të Gardës Kombëtare të Nju Xhersit. “Jam larguar nga Shqipëria në moshën 7-vjeç. Nga klasa e parë deri në universitet e kam bërë komplet në Amerikë”-thotë ajo. Togere e Parë Çollaku është tash në Shqipëri me mision trajnimi të Forcave të Armatosura për përdorimin e dronëve të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara, raporton korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.

“Kam ardhur për një mision; të mësojmë përdorimit e “UAV” për ushtrinë shqiptare. “UAV” është një dron për misione taktikale, civile, në emergjenca dhe për humanitare”-tregon Togere e parë Çollaku. Hatixheja thekson duke kërkuar shansin me takime dhe biseda me njerëz të ushtrisë, mësoi që kërkohej një oficer inteligjence për Shqipërinë:

“Kur e morën vesh që jo vetëm jam oficere, por flas edhe shqip, u gëzuan shumë dhe thanë “me siguri do të sjellim ty në këtë mision”. Kur erdha ka qenë shumë eksperiencë e bukur të shoh jo vetëm rreshterët, por edhe oficerët që mundohen të marrin trajnim nga ushtria amerikane për të avancuar kapacitetet e tyre”.

Hatixhe Çollaku thotë se ka dashur kurdoherë të kthehej në Shqipëri me mision, andaj hyri në Gardën e Nju Xhersit duke qenë Komandantja e parë femër e Kompanisë së Inteligjencës: “Ngaqë jam rritur në Amerikë, ndihem të dyja.

Por, jam shumë krenare që jam shqiptare! T’ua tregoj historinë e Shqipërisë, si është kultura shqiptare, si janë njerëzit, çfarë do të presësh kur të arrish në Shqipëri”. Hatixhe Çollaku vjen nga një familje e lidhur me ushtrinë, pasi babai i saj ka qenë major i logjistikës në ushtrinë e Shqipërisë.