Lajmet e reja

Vullnet Murseli: Tetova do tu kthehet tetovarëve dhe do të çlirohet nga zaptuesit

Sot në selinë qendrore të Aleancës për Shqiptarët në Tetovë në prezencë të liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, kandidatit për kryetar komune të Tetovës Vullnet Murseli, bartësit të listës për këshilltarë komunal Muzafer Etemi u bë hapja e shtabit zgjedhor të koalicionit ASH-AAA, përcjell in7.

Para aktivistivëve dhe simpatizantëve të pranishëm fjalë përshëndetëse pati nikoqiri shefi i shtabit Fisnik Ferati.

Kandidati për kryetarë komune të Tetovës Vullnet Murseli në fjalën e tij tha:

Nuk dua ta zgjas hiq këtë fjalim, por dua t’ju falënderoj të gjithëve për punën e madhe dhe të mrekullueshme që keni bë secili prej jush, deri sa të vijmë deri te hapja e këtij shtabi dhe shtabeve tjera. Nuk ka qenë e lehtë por ju ja keni dalë për mrekulli. Secili prej jush ka bë punë të madhe – ndryshe nuk do ishte e mundur.

Tash e tutje na pret punë edhe më e madhe, sepse FITORJA E TETOVËS do jetë FITORJA E GJITHË NEVE. Ne duhet të punojmë me shumë përkushtim dhe seriozitet që ta çlirojmë Tetovën nga zaptuesit, dhe t’ja kthejmë Tetovën qytetarëve të saj, t’ja kthejmë qytetarëve dinjitetin dhe krenarinë.

Vullnet kemi të gjiithë, prandaj na qoftë puna e mbarë dhe shkojmë drejt fitores…, përfundoi Vullnet Murseli.

Fjalë rasti para të pranishmive pati dhe kreu i ASH-së Ziadin Sela.

Sela para simpatizantëve tha se sot është hapi i parë drejt fitores dhe nga ky moment ne duhet t’i numërojmë ditët, orët, minutat dhe sekondat. Gjithë këto duhet të jenë të mbushura me plot aktivitete me punë të palodhshme që me 17 tetor bashkarisht të festojmë fitoren e madhe këtu në Tetovë. Unë e shoh që këtu ka vullnet për fitore, ka vullnet për ndryshim. Dhe unë e di që këtu është edhe Vullnet Murseli për t’i fituar zgjedhjet me 17 tetor bashkë me ju. Na prift e mbara!-përfundoi Lideri i opozitës shqiptare Ziadin Sela.

Ndryshe, sonte në sheshin “Skenderbe” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit koalicioni ASH-AAA me fillim në ora 19:00 mban konventën promovuese të kandidatëve për kryetar komunash dhe kandidatët për këshilltarë komunal për zgjedhjet lokale që do mbahen me 17 tetor./in7.tv/