Lajçak dhe Kovaçevski bëjnë thirrje për kthimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë
Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kanë bërë thirrje sot nga Bratislava për një deeskalim urgjent të situatës në Kosovë dhe për kthimin e paqes dhe stabilitetit.
Sipas një njoftimi të qeverisë maqedonase, Kovaçevski dhe Lajçak u takuan në Bratislavë në margjinat e Forumit Global të Sigurisë GLOBSEK 2023.
Kovaçevski, përsëriti se Maqedonia e Veriut mbështet bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm me NATO-n dhe BE-në në rajon në drejtim të konsolidimit të stabilitetit dhe përshpejtimit të integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor, njofton Klankosova.tv.
Në takimin me Lajçakun, Kovaçevski theksoi përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në përmirësimin e rajonit, si dhe paqen dhe stabilitetin e tij.
Maqedonia e Veriut, siç tha Kovaçevski, është e vendosur të forcojë dhe përmirësojë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të vendoset përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve si një vend që është faktor stabiliteti në rajon.
Në takim, kryeministri maqedonas theksoi se anëtarësimi i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të parandalojë pikat e ndjeshme të rajonit që të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin, duke penguar kështu edhe zhvillimin ekonomik të rajonit.