Ky është personi që mbeti i vrarë në Suharekë, shtatë të arrestuar
Një i vrarë, dy policë të plagosur, shtatë të arrestuar dhe një i dyshuar në arrati është bilanci total nga grabitja e një argjendarie në Suharekë që ndodhi javën e kaluar, ka konfirmuar Policia e Kosovës të enjten.
Policia ka zhvilluar një operacion gjatë ditës së sotme [e enjte], ku ka mbetur i vrarë një nga personat që dyshohet se mori pjesë në grabitjen e një argjendarie në Suharekë. Sipas Policisë, fillimisht viktima ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policëve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një polic që është jashtë rrezikut për jetë. Policia është detyruar të vetëmbrohet.
“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij aksioni, janë arrestuar edhe katër të dyshuar, duke e çuar numrin total të të arrestuarve në shtatë. Njëri nga të arrestuarit u lirua më herët për mungesë provash, ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit pasi dyshohet se kanë dhënë ndihmë në përgatitjen e planit për grabitje.
Vëllai i të vrarit është arratisur dhe gjendet në kërkim policor.
Gjatë grabitjes në Suharekë të mërkurën e kaluar, kishte mbetur i plagosur një polic.
Përveç në Prishtinë, Policia sot ka bastisur lokacione edhe në Fushë-Kosovë dhe Carralevë me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Sipas Policisë, të dyshuarit kanë të kaluar kriminale për vepra si vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.