Maqedoni

Kuvend, miratohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor

Me 109 vota për deputetët me procedurë të përshpejtuar votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke iu mundësuar rreth 100 mijë qytetarëve të drejtën e votës. Bëhet fjalë për ndryshim kalimtar të një dispozite ligjore, që do të vlejë vetëm në këto zgjedhje dhe u mundëson të drejtën e votës atyre qytetarëve të cilët kanë letërnjoftime apo pasaporta të skaduara 9 muaj e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Ndryshimi ligjor është dorëzuar si i përbashkët ditë më parë nga deputetët, Arbër Ademi i BDI-së, Martin Kostovski i LSDM-së dhe Nikolla Micevski i VMRO-DPMNE-së.

“Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara sigurohet stabiliteti ligjor i procesit zgjedhor, si dhe forcimi i besimit të publikut dhe medias në procesin zgjedhor. Është e padiskutueshme se reforma për rregullimin zgjedhor duhet të vazhdojë me synimin për përmirësimin e zgjidhjeve ligjore sipas analizave krahasuese të legjislacionit evropian, por edhe për të parashikuar aktivitete të duhura për zbatimin e ligjit lidhur me zgjedhjet. Dispozita e këtij propozimi rregullon të drejtën e zgjedhësve për të votuar me letërnjoftim ose dokument udhëtimi, vlefshmëria e së cilës skadon në afat prej 9 muajsh nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, si dhe të gjithë shtetasit madhor që kanë vendbanim në territorin e Maqedonisë do të futen në listën zgjedhore.”, – deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.

Edhe personat të cilët mbushin 18 vjet midis dy raundeve zgjedhore do të kenë mundësinë e regjistrimit në listën zgjedhore për të votuar.

Ndryshimet emergjente në Kodin Zgjedhor erdhën si pasojë e trysnisë kohore dhe pamundësisë së qytetarëve për të siguruar dokumente personale dhe shfrytëzuar të drejtën e votës në këtë kaos të krijuar institucional, ndërkohë që më 18 mars mbyllet lista zgjedhore.

Me ndryshimet ligjore vendoset edhe një qendër për edukim të vazhdueshëm të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për një mbarëvajtje të procesit zgjedhor.