Kuvend, Ligji për lojërat e fatit s’u miratua
Ligji për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse në leximin e tretë të vazhdimit të seancës së 145-të nuk mori shumicën e kërkuar prej 61 votash dhe procedura për këtë ligj përfundon, sqaruan nga shtëpia ligjvënëse.
“Duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese U. nr. 115/2019, datë 14.05.2020, sipas të cilit për miratimin e Ligjit nevojiten së paku 61 vota “për”, me rastin e vendosjes për Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, në seancën e 145-të, Ligji ka marrë mbështetjen e 51 votave “për”, që do të thotë se nuk janë plotësuar kushtet që ligji të miratohet dhe procedura sipas atij ligji përfundon.”, theksojnë nga Zyra e kryetarit të Kuvendit.
Por, Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit, shprehu mirënjohje për të gjithë deputetët që nuk mbështetën ndryshimet.
“Pavarësisht fushatës agresive negative afatgjate kundër lojërave të fatit, presioneve parazgjedhore, shumica e deputetëve qëndruan konsistente në qëndrimin se nuk do të lejojnë keqpërdorimin e flamurit të BE-së për ndryshime ligjore që nuk kanë të bëjnë me legjislacionin evropian. Ata treguan se dëgjuan argumentet tona, mbrojtën Kushtetutën dhe shpëtuan mijëra vende pune.”, theksuan nga Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit, për TVM2.
Asociacioni shprehu mirënjohje edhe për përfaqësuesit zyrtarë të Bashkimit Evropian që treguan se nuk do të heshtin për abuzimet që dëmtojnë vlerat demokratike evropiane. Ndërkohë Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por kanë kërkuar edhe mbylljen e plotë, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet deri më tani nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.