May 23, 2024
Maqedoni

Kush qëndron pas vrasjeve në Shkup?

Qërimi i hesapeve mes bandave kriminale përmes vrasjeve spektakolare në qendër të Shkupit, sipas ish-zyrtarëve të sigurisë në Maqedoninë e Veriut, kanë për qëllim marrjen nën kontroll të territorit nga bandat.

Më 13 maj, Kamer Idrizi u ekzekutua në një lagje të Shkupit. Personat e maskuar, i zunë pritën dhe e ekzekutuan atë me 90 plumba. Kësaj ngjarje i kishte paraprirë ndërhyrja e personave të maskuar në një hotel në Shkup, të cilët hapën zjarr me pushkë automatike në drejtim të grupit të Idrizit.

Gjatë kësaj jave humbi jetën edhe 23-vjeçari Ergin Iseni, i cili, natën kur u vra Kamer Idrizi, e kishte shoqëruar atë.

Autoritetet policore thonë se janë duke punuar për të zbardhur këto vrasje, por ende nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë informacione rreth pistave të mundshme apo se kush dyshojnë se janë autorët e vrasjes.

Policia e as prokuroria nuk kanë dhënë asnjë të dhënë as për vrasjen e dyfishtë një muaj më parë në Çairi. Në një parking të Shkupit, në orët e para të mëngjesit ishin ekzekutuar Burim Vardari, 24 vjeç dhe Afrim Berisha, 28 vjeç.

Ish-zyrtari i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qebir Avziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se mënyra se si po kryhen këto vrasje, është tregues i qartë se përpos ekzekutimit të viktimave, autorët e këtyre vrasjeve po dëshirojnë që të dërgojnë porosi te banda tjetër dhe njëherësh të demonstrojnë forcën e tyre.

“Mënyra se si ka vepruar autori, si e ka planifikuar dhe organizuar vrasjen.. vërehet se këtu ka profesionalizëm. Përderisa sa i përket asaj se sa plumba janë shkrepur mbi viktimën, vërehet mllefi dhe hakmarrja. Këto janë të dhëna që tregojnë se pas këtyre vrasjeve qëndron një organizatë, që synon që mesazhin ta përcjellë te grupi tjetër. Pra, bëhet fjalë për rivalitet mes tyre”, tha Avziu, i cili njëherë është ligjërues në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tetovës.

Në llogarinë në Facebook të Kamer Idrizit, llogari që ende është aktive, mund të shihen fotografi të tij me zyrtarë të partive në pushtet, Lidhjes Social Demokrate dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim. Aty, po ashtu mund të gjenden edhe fotografi me zyrtarët lokalë të dy komunave të Shkupit, Komunës së Butelit dhe Çairit.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DMNE e ka akuzuar pushtetin se ka lidhje të forta me nëntokën.

“Idrizi është parë në shumë fotografi me funksionarë të lartë të LSDM-së siç është (ministri i Punëve të Brendshme) Oliver Spasovkis, (ish-deputeti i socialdemokratëve, aktualisht sekretar i Qeverisë maqedonase) Muhamed Zeqiri, (presidenti i shtetit) dhe Stevo Pendarovski. Duket si e pamundur që këta njerëz kanë qenë në shoqëri të kriminelëve të caktuar. Kjo paraqet dëshmi se shtetin e udhëheq krimi dhe mafia”, tha Dimce Arsovski nga VMRO-ja. // REL