Maqedoni

Kush do të mbajë përgjegjësi për 45 viktimat? Pushteti nuk ndihet fajtor, opozita kërkon përgjegjësi

Ministri për transport dhe lidhje nuk mendon për dorëheqje pas aksidentit të autobusit të Besa Trans ku jetën e humbën 45 persona. Ai thotë se institucioni që drejton nuk ka kompetenca për parregullsitë e Agjencisë turistike.

“Nuk shohim se ku ka parregullsi në ministrinë për Transport dhe Lidhje për shkak se edhe në rastin me transportuesin në fjalë, ministria për Transport dhe Lidhje ka vepruar sipas ligjit duke mos shkelur asnjë dispozitë. Në lidhje me kontrollin për licencën, tashmë disa herë përmendëm se Ministria për transport dhe lidhje sipas kompetencave të saj , nuk është organ për inspektim. Këtë kompetencë e ka Inspektorati për transport dhe Drejtoria doganore gjatë hyrjes dhe daljes në kufijtë e shtetit“, tha Bllagoja Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.

Kur bëhet fjalë për përgjegjësi, tani për tani vetëm dy doganierë do të suspendohen dhe do të ketë masë disiplinore për udhëheqësin e tyre. Ky vendim vjen pas informacioneve të para të kontrollit të brendshëm që kanë treguar se më 18 nëntor, doganierët nuk e kanë evidentuar në mënyrë elektronike daljen e autobusit të Besa Trans, përkatësisht vetëm e kanë verifikuar listën për transport të pasagjerëve. Pyetjes nëse janë regjistruar parregullsi në punën e doganierëve të tjerë ose vetëm në punën e atyre që ishin në punë kur kanë kaluar autobusët e Besa Trans, nga Drejtoria doganore thonë:

“Raporti për kontroll të brendshëm do të jetë gati të mërkurën. Për momentin për autobusin në fjalë dy nëpunës doganor janë suspenduar dhe ka procedurë disiplinore për shefin e tyre. Raporti do të tregojë çfarë do të ndodh më tej”, thonë nga Drejtoria Doganore.

Edhe pse të afërmit e viktimave që ditën e parë kërkonin takim me pronarin e kompanisë me të cilën kanë udhëtuar të afërmit e tyre, ai ende nuk është paraqitur në opinion. Zyra e kompanisë sigurohej nga policia. Hetimi duhet të udhëhiqet në institucione e jo në opinion dhe media, tha Oliver Spasovski, në lidhje me pyetjen se ku gjendet pronari i Besa Trans-it.

“Do t’i japin informacionet pas përfundimit të veprimit në kompaninë Besa Trans dhe sipas urdhrave që i jep Prokuroria publike të cilat janë në interes të hetimit”, tha Oliver Spasovski, ministër për Punë të Brendshme.

Mediat bullgare shkruajnë se pronari ka marrë kërcënime për jetë dhe se ai ende gjendet në Bullgari.

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë pushtetin për papërgjegjësipër zbardhjen e rastit.

“Sipas Ligjit për sigurim pensional dhe invalidorë, drejtori Rufat Huseini i plotëson obligimet ligjore për pensionim që në muajin mars të këtij viti kështu që opinioni duhet të dëgjojë përgjigjen nëse vazhdimi i funksionit të tij është që të mundësohet transport joligjor i kompanive”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Miteva shtoi se është e turpshme që pushteti nuk merr përgjegjësi, por fajësohen personat që nuk kanë kryer evidentimin e autobusit.