Kosovë

Kurti takon Vuçiqin për herë të parë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të parë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky takim po ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Para takimit trepalësh, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.

Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.

Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.

“Dialogu ka prodhuar rezultate për qytetarët e tyre. Si shembull, integrimi i policisë dhe sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës në sistemin e Kosovës. Mbledhja e tarifave doganore nga tregtia me Serbinë apo edhe pjesëmarrja si anëtar i plotë në organizata të ndryshme rajonale si dhe iniciativa”, ka thënë Borrell.

Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku evropian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.

Para takimit trepalësh, zyrtarët e BE-së kanë zhvilluar takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ditë më parë ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor dhe se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog, si dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, më 11 qershor ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës që më 15 qershor, “nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër” dhe se “nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtit dialog”.

“Do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, ka thënë Kurti, duke shtuar se dialogut ende nuk i dihet agjenda.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka vazhduar të mbajë qëndrimin se në takimin me Kurtin do të insistojë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet palëve në Bruksel.

Në prag të takimit me Kurtin, presidenti serb Vuçiq ka thënë se “nuk është koha për fjalë të mëdha, por për një qëndrim të fortë”.

“Por, gjithmonë është koha që të tregojmë se sa e duam dialogun dhe sa e rëndësishme është të shikojmë drejt së ardhmes”, ka deklaruar Vuçiq.
“Vullneti i nevojshëm” për dialogun

Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 qershor, ka shprehur mendimin që presidenti i Serbisë, Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, megjithatë, ai nuk pret që në raundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin, por pret që “të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme”.

Ditë më parë, partitë opozitare në Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Kurti, duke ia rikujtuar atij qëndrimet që kishte shprehur për dialogun para se të vinte në pushtet, se nuk bën të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve. Gjithashtu, ai është kritikuar se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur.

Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se më 15 qershor, pas përfundimit të takimit, me media do të bisedojë përfaqësuesi i posaçëm, Lajçak.