May 20, 2024
Rajon - Botë

Kurti pranon bisedime mbi bazën e propozimit të ri të Pesëshes, ai do të shkojë në Bruksel

Kurti pranon bisedime mbi bazën e propozimit të ri të Pesëshes, ai do të shkojë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dakorduar që plani i emisarëve perëndimorë, i prezantuar ditë më parë të jetë kornizë për bisedimet e mëtejshme me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

– Advertisements –

Kështu ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, duke e konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në takimet e 26 tetorit në Bruksel.

“Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria i është referuar Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel. Dy palët më vonë janë marrë vesh për aneksin e zbatimit, në mars, në Ohër.

Një ditë para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “padyshim se nuk do të ketë dialog” nëse Serbia nuk dënohet dhe sanksionohet për atë çfarë ka bërë, duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Duke folur për Financial Times, Kurti tha se “do të përfundojmë me një menaxhim të dështuar të krizës dhe do ta harrojmë plotësisht normalizimin” e marrëdhënieve, nëse Serbia nuk sanksionet.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleaksandar Vuçiq u ftuan në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kërkuan Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit gjatë një vizite në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor.

Të enjten Kurti dhe Vuçiq, do t’i takojnë veç e veç presidentin e Francës, kryeministren e Italisë, kancelarin e Gjermanisë dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.