May 3, 2024
Maqedoni

Kurti: Po shteron koha që ia kemi dhënë KFOR-it për heqjen e barrikadave

Kryeministri Albin Kurti foli për punën e Qeverisë gjatë këtij viti në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Shefi i Qeverisë tha se kriminelët po e sfidojnë ligjin në veri dhe po synojnë destabilizimin e rajonit dhe cenimin e integritetit territorial të Kosovës, të shtyrë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçuiq.

“Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelët, por do t’i arrestojnë ata”, tha ai.

Vendosja e barrikadave në rrugë nuk do të pranohet tha Kurti, duke treguar se i kanë dhënë kohë KFOR-it që t’i heqë ato.

“Por sigurisht se kjo kohë po shteron”, tha kryeministri, raporton Gazeta Express.

“Kjo kohë dhe hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it dhe një gjë duhet të kuptohet, se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikafar në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha ai ndër tjerash.

Kurti tha se këtë vit Policia ka zhvilluar 850 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.

“Këto operacione padyshim që e kanë prishur edhe rehatinë e kriminelëve, sidomos në veri të vendit, për të cilët mungesa e sundimit të ligjit ishte liri”, tha ai.

Kryeministri tha se janë arrestuar 3051 persona dhe se “janë shkatërruar 69 grupe kriminale e janë konfiskuar mbi 9 ton substanca narkotike”.