June 21, 2024
Kosovë

Kurti: Nevojiten veprime të guximshme nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor për të ngritur nivelin e bashkëpunimit rajonal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në Samitin e Berlinit, ka deklaruar se ka nevojë për veprime të guximshme nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ballkani Perëndimor për të ngritur nivelin e bashkëpunimit rajonal, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti tha se Kosova, ashtu sikurse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duhet të angazhohet fuqishëm në agjendën e integrimit në BE, të demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik për qytetarët kosovarë.

Në takimin e ftuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, ku morën pjesë kryeministra të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të BE-së dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, Kurti shpalosi pikat kryesore të agjendës së qeverisë që ai udhëheqë.

“Për Kosovën, BE-ja fillon në shtëpi dhe ne nuk e shohim atë si një proces të zhvendosjes në BE, përkundrazi, ne e shohim atë si një proces reformash ku edhe ata që u larguan për mundësi më të mira ekonomike do të ktheheshin. Ne e kuptojmë që duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, por edhe BE-ja duhet të bëjë të vetat duke i mbajtur premtimet”, tha Kurti.

Kurti theksoi se është i vetëdijshëm për krijimin e Procesit të Berlinit në sfondin e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur perspektiva e rajonit për anëtarësimin në BE dukej e largët, por tha se “për fat të keq, shtatë vjet më vonë situata nuk ka ndryshuar shumë”.

“Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor, për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat. Është për keqardhje që nuk pati përparim në marrëveshjet e negociuara me lehtësimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe më shumë integrim ekonomik.

Kurti në fund falënderoi kancelaren Merkel për përkushtimin ndaj rajonit, pasi ajo udhëhoqi për herë të fundit këtë samit.

Samiti i Berlinit u zhvillua në katër sesione të ndara ku u diskutua për të arriturat e Procesit të Berlinit, bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për hapat e ardhshëm në këtë proces.

Qeveria gjermane në vitin 2014 filloi Procesin e Berlinit së bashku me vendet e rajonit dhe partnerë të tjerë për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe në të njëjtën kohë për të përshpejtuar afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.