Kosovë

Kurti në ceremoninë e gurthemelit të monumentit “Nëna e Zymit”: Dashuria e nënës është shprehje e çdoditshme e përjetësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të monumentit “Nëna e Zymit”, aktivitet ky i mbajtur në kuadër të manifestimit letrar, kulturor e shkencor, të 50-in me radhë, “Takimet e Gjeçovit”.

Në fjalën e rastit, Kurti ka përshëndetur manifestimin jubilar dhe iniciativën për të nderuar në mënyrë të veçantë gruan shqiptare, një grua, siç ka thënë ai, të vendosur në histori nga ana e sakrificës së përditshme.

“Kurrë nuk do të përfundojmë së nderuari dy figura të pafundme të mendimit: dëshmorin dhe gruan. E kemi si Norë të Kelmendit, si Shotë të Galicës, si grua të Jasharajve, e tashmë do ta kemi si Nëna e Zymit”, ka thënë kryeministri.

Duke e cilësuar dashurinë e nënës si shprehje të përjetësisë për çdo ditë, ai ka thënë se ka kuptim të ekzistojë monumenti për të.

“Ndoshta monumenti mund t’ia bëjë nderin dashurisë sublime, monument Nënës së Zymit, monument Nënës, për atë që është e që bën”, ka thënë Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar zymjanë e hasjanë,

Para se të vijmë këtu te përvjetori jubilar i “Takimeve të Gjeçovit”, u bënë plot gjysmë shekulli, që ato organizohen nga njerëz, të cilët nuk janë ndalur asnjëherë, as gjatë okupimit, as gjatë luftës dhe as pas luftës.

Bashkë me veprimtarin dhe autorin e njohur, Frrok Kristaj dhe me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskukajn, në udhëkryqin e rrugëve, që mbajnë emrat e At Shtjefën Gjeçovit dhe artistes së madhe, Katarina Josipi, vendosëm gurthemelin e monumentit “Nëna e Zymit”.

Unë jam i nderuar të marr pjesë në aktivitetin tuaj kulturor. Jam i nderuar, sepse mes aktivitetit të përditshëm të shumëkujt prej nesh, ai kulturor e shkencor, zë vend më pak. Do të doja të ndodhte e kundërta. Kjo do të tregonte se Republika është në gjendje të shëndetshme, se shoqëria është vend i krijimit fisnik.

Por ndjehem edhe mirë. Kjo veprimtari është e dyfishtë: Së pari jam i ftuar në manifestimin letrar, kulturor e shkencor, “Takimet e Shtjefën Gjeçovit”; së dyti, jam i ftuar në një akt të veçantë dhe shumë domethënës.

Ju keni marrë nismën, që në këtë përvjetor jubilar, të nderoni në mënyrë të veçantë gruan shqiptare, një grua të vendosur në histori nga ana e sakrificës së përditshme.

Në ftesën tuaj, ju e kishit përshkruar shumë mirë këtë grua, që vetëm dëshira për jetën dhe figura e lartë e nënës, e ka mbajtur gjallë dhe e ka mbajtur gjallë për të strehuar e siguruar mundësinë e jetës.

Duhet politikë e denjë dhe art i lartë, që të mund t’i thurim lavde thjeshtësisë, përulësisë e dashurisë.

Kurrë nuk do të përfundojmë së nderuari dy figura të pafundme të mendimit: dëshmorin dhe gruan.

E kemi si Norë të Kelmendit, si Shotë të Galicës, si grua të Jasharajve, e tashmë do ta kemi si Nëna e Zymit.

Le t’ia marrim një varg Kadaresë, një varg, që i kushtohet grave, mësueseve të reja të fshatit dhe ta projektojmë te nëna. Do të mund të thoshim, “Ajo e larta gjerë në dhembje, e thjeshta gjerë në madhështi”.

Vetëm në atë, mund ta sjellim zërin e një nëne, që na ka mbajtur merakun përditë e përjetë.

Gruaja nënë është figura universale, që e lidhë Zymin me çdo cep të rruzullit, por universaliteti i nënës, nuk është vetëm nëpër rruzullim, por edhe në kohë. Ajo është, si të thuash, e përjetshme nëpër ditë, përditë.

Dashuria e saj është shprehje e përjetësisë për çdo ditë. Ky është paradoksi i dashurisë së nënës, andaj ka kuptim të ekzistojë monumenti për të.

Ndoshta vetëm monumenti mund t’ia bëjë nderin dashurisë sublime, monument Nënës së Zymit, monument Nënës, për atë që është e që bën.

E, më lejoni, që qysh tash të parashoh, që edhe skulptori do ta sjellë në gurin e bardhë thjeshtësinë e madhështinë e Nënës së Zymit.

Ju përshëndes dhe ju falënderoj thellësisht nga zemra për këtë ditë.