Kosovë

Kurti dhe Osmani të koordinuar për dialogun me Serbinë

Dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u këshilluar me presidenten, Vjosa Osmanin, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka theksuar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2019, e ka bërë të qartë se kush udhëheq me këtë proces.

“Natyrisht, kryeministri këtë do ta bëjë duke u këshilluar dhe koordinuar me presidenten dhe duke ndërtuar konsensus nacional e shtetëror në lidhje me dialogun. Kryeministri ka deklaruar disa herë tashmë se do të kërkojë konsensus dhe debat deri në shterim me opozitën për çështje kapitale për vendin dhe dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus”, u shpreh Kryeziu.

Sipas vendimit të vitit 2019, të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës është bartësja e procesit të dialogut me Serbinë.

Por, njohësit e zhvillimeve politike Rrahman Paçarizi dhe Dushan Janjiq, thonë se as Kurtit dhe as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pavarësisht qëndrimeve të shprehura në favor të dialogut ndërmjet dy vendeve, që të dy nuk janë të gatshëm që t’i qasen rinisjes së këtij procesi.

Pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit si dhe kompletimit të institucioneve të larta të vendit me përbërjen e re, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, partnerët perëndimorë të Kosovës janë duke insistuar për rinisjen e dialogut të saj me Serbinë në Bruksel.

Osmani dhe Kurti në bashkërendim për politikën e jashtme
Të mërkurën, më 7 prill, presidentja e Kosovës, Osmani ka pritur në takim kryeministrin Kurti dhe disa nga drejtuesit e dikastereve qeveritare, ku diskutuan për nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme.

“Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e nga Zyra e Osmanit.