MaqedoniOpinion

Kur nisëm rrugëtimin tonë me LD, shumëkush e shihte këtë përpjekje si një ëndërr të paarritshme

Të nderuar aktivistë dhe përkrahës të Lëvizjes Demokratike,
Të nderuar përfaqësues të koalicionit VLEN, deputetë, ministra dhe funksionarë shtetërorë,
Të dashur qytetarë,
Një vit më parë, kur nisëm rrugëtimin tonë me Lëvizjen Demokratike, shumëkush e shihte këtë përpjekje si një ëndërr të paarritshme. Sfida për të ndërtuar një alternativë politike për shqiptarët dhe për të sfiduar një sistem të rrënjosur thellë në pushtet dukej si një mision i pamundur.
Megjithatë, qëndruam të palëkundur përballë presioneve dhe pengesave të shumta. I thamë “Mjaft!” degradimit të demokracisë dhe shpërdorimit të parimeve themelore të lirisë e barazisë.
Sot, me krenari mund të themi se ndryshimi është bërë realitet.
Shqiptarët, që prej kohësh kërkonin një drejtim të ri politik, arritën ta bëjnë këtë të mundur. Me largimin e politikave të vjetra dhe me rotacionin politik, po hapet një kapitull i ri për të gjithë ne.
E ardhmja tani është në duart tona.
Në vend që të merremi me politikat e vjetruara dhe praktikat e shkuara, fokusi ynë është ndërtimi i një qeverisjeje të përgjegjshme që punon për njerëzit. Kjo është një mundësi për të ndihmuar qytetarët të përmirësojnë jetesën e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.
Falë përkushtimit tuaj, kemi arritur të krijojmë një ambient politik të ri.
Sot, ne promovojmë meritokracinë, përfshirjen dhe tolerancën, duke refuzuar korrupsionin dhe përçarjet. Ky është momenti për të ndërtuar një kulturë të re politike, të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie.
I ftoj të gjithë ata që ndajnë vlerat dhe vizionin tonë: Bashkohuni me ne!
Procesi i europianizimit kërkon politikanë të ndershëm, të përkushtuar dhe të gatshëm të punojnë për të mirën e vendit. Ne jemi alternativa e re dhe dera jonë është e hapur për secilin që dëshiron të kontribuojë për një të ardhme më të mirë.
Le ta ndërtojmë së bashku të ardhmen që shqiptarët meritojnë!
Me respekt,
Izet Mexhiti
Kryetar i Lëvizjes Demokratike