Kosovë

Kur dhembja shndërrohet në krenari, kujtimi për të rënët merr dimension hyjnor

Mehmet Prishtina

Sot është një ditë e veçantë për mua, familje time dhe për vendlindjen tonë Polacin. Para 22 viteve pranvera ishte përgjakur me trupat e 85 të rënëve për liri, kurse Polaci dhe gjithë Kosova, atë 5 prill 1999, po përshëndetej për të fundit herë nga të dashurit e tyre, që padrejtësisht ishin vra e masakruar nga forcat pushtuese serbe.
Dhembja bëhet edhe më e madhe kur në mesin e këtyre të rënëve ndodhej edhe babai im i shtrenjtë Ferizi, xhaxhai Idrizi dhe kushërinjtë Enveri e Abdyli. Ata i mbyllën sytë, por vizioni për një Kosovë të lirë, për të cilën kishin luftuar deri në minutën e fundit të jetës, mbeti gjithmonë i hapur.
Kur dhembja shndërrohet në krenari, atëherë kujtimi për të rënët merr një dimension edhe hyjnor, sepse në çdo pranverë mbi qiellin e Polacit skaliten emrat e këtyre të rënëve, si shenjë mos-harrimi për gjakun e tyre të derdhur për lirinë që sot po e gëzojmë.
Dita e 5 prillit të 1999-tës është edhe një gurë kujtese që ndanë të kaluarën dhe të sotmen me një akt flijimi. Mbi këtë gurë tash qëndron si kala pesha e rëndë e sakrificës së këtyre të rënëve për lirinë tonë të shumëpritur.
Dita e sotme ka edhe një dimension festiv, për arsye se kryetari i bashkësisë lokale Polac- Marin- Dashevc, do të ndajë mirënjohje për të gjithë të rënët në luftën e Brigadës “Shaban Polluzha” dhe luftën e fundit të UÇK-së, në kuadër të manifestimit jubilar për të shënuar 100 vjetorin e kryeministrit të 8-të të Shqipërisë – Hasan Prishtina.
Lavdi të rënëve për liri!