Kumanovë, votuan të sëmurit dhe të burgosurit
Në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, në komisionet zgjedhore komunale të të tri komunave të rajonit të Kumanovës, atë të Likovës, Kumanovës e Nagoricit të Vjetër kanë arritur 487 kërkesa për votim nga persona të sëmurë.
Në Komisionin Komunal të Likovës janë paraqitur 283 persona, në atë të Kumanovës 196, kurse në Nagoricin e Vjetër vetëm 8.
Në bazë të kërkesave të shqyrtuara nga mjekë specialistë dhe sipas shifrës së diagnozës, të drejtën për votim gjatë ditës së sotme e kanë realizuar 180 persona. Ndërkohë që kryetarja e komisionit komunal në Kumanovë, Elizabeta Stojkovska përpos 180 personave të sëmurë, të drejtën e votimit për zgjedhjet presidenciale e kanë edhe 159 persona të burgosur në burgun e Kshanjës.
“Sot në ambientet e komunës së Kumanovës është marrë materiali për votim, për personat që janë paraqitur të sëmurë. Këshillat zgjedhore janë të ndarë në termine për t’u mos shkaktohet tollovi. Shkojnë, votojnë në shtëpi, i kthejnë kutitë. Gjithashtu në ora 7 ka filluar votimi në entin ndëshkimorë korrektues në burgun “Kshanje”. Aty gjithçka ka rrjedhur në rregull, edhe arritja e materialit edhe votimi. Sot gjithsej të drejtë vote kanë pasur 185 persona të sëmurë, kurse në burgun në Kshanjë 159 persona.”, – theksoi kryetarja e KKZ-së – Kumanovë, Elizabeta Stojkovska.
Ndërkohë që në komunën e Likovës, siç na njoftoi Ajshe Demiri, kryetare e Komisionit Zgjedhor – Likovë, nga 283 kërkesa për të votuar sot, këtë të drejtë e kanë marrë 269 persona të sëmurë.
Ndërkaq gjatë ditës së nesërme në Rajonin e Komunës së Kumanovës në 167 vend votime të drejtën e tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet presidenciale do ta kenë 93.364 qytetarë, ndërkaq në komunën e Likovës në 36 vend votime të drejtë vote do të kenë 25.998 qytetarë, kurse në Komunën e Nagoricit të vjetër 3.043 qytetarë me të drejtë vote pritet të votojnë në 38 vend votime./TVM2