Kujtime nga fëmijëria: Me trotinet në Tetovën e viteve 60-ta
Shkruan: Merita Abazi, Profesoreshë e gjuhës shqipe
Nuk mbaj mend sa kam qenë, ndoshta pesë vjeçare por një ngjarje në moshën aq të vogël që më ngjau, më la një mbresë e mbeti edhe sot e kësaj dite. Nana më dërgoi te gjyshja ti lë një porosi. Nuk e kishte larg shtëpinë. Për mua ishte lojë. Me një të vrapuar nëpër urën e dyqanit të Xhabir axhos, nëpër rrugën e gjimnazit e xhaminë e Pashës, e kaloja rrugën, e drejt kah fabrika e Teteksit. Jo deri atje. Pak më afër. Shkova.
Atëherë nuk kishte aq vetura, po kalonin karroca me kuaj, njerëz që i kishin ngarkuar gomarët me gjësende të ndryshme, ndonjë fiqo e ndonjë zastavë…mirë. Më shumë kalimtarë. Burra e gra
Nuk kishte asgjë të frikshme. Lirisht shkonim vet dhe ktheheshim. – Gjysheeee- thira sa hyra nga dera
Ajo rrugicë ishte e shtruar me lule të çdo lloji. Ajo ishte merakli e madhe për lulet. Sa herë thoshte:
– Shihni fëmijë, ju luani, por po më thyet ndonjë lule, ju pret shkopi. E pastaj e çonte lartë një shkop të hollë pa asnjë fletë, por të lëmuet. Kur e lëvizte në ajër , bënte një zhurmë si vëzhzhzh. Asnjëherë nuk e kam parë ta përdorë por dajallarëve të mi, ua çonte shkopin, por nuk u sillte. Ishte vërejtja e saj për lulet, dhe diçka tjetër
Nëse do të hyje brenda, çeshmja ishte para me sapunin dhe një marhamë. Patjetër në verë laheshin këmbët, duart, fëtyra me sapun, pastaj hyhej brenda. Ishte vesvese. Shumë e pastër. Nusja e madhe e dajës Qazim , ia dinte hujet. Dhe kalonin shumë mirë
Gatuanin të dyja, por më tepër Kadimja. Ishin një (çelat)familje tetë anëtarëshe( më vonë do të shtoheshin) e punonte vetëm aga në fabrikë e daja Qazim gjithashtu. Ai kishte një sëmundje. Vuanin e tërë familja. Askush s’mund t’i ndihmonte as mjekësia kush. Nuk e harroj këtë por ndonjëherë tjetër do të flas për këtë temë
Iviçin, i thonin mutfakut kuzhinës verore, ku e mbanin nëpër fuçia miellin, oxhaku në qosh, shporetit afër, tepsi plot, saçi në qosh e hi sa të duash. Sofra e madhe e varur në mur. Në qoshe saçi me mashën e madhe dhe trekëndëshat e hekurit. Edhe te ne në mutfak ishte kështu vetëm se ne kishim një shifonher të madh, një tavolinë dhe katër karike. Gjysma ishte me libra e materiale të babës e gjysma tjetër me enët e shtëpisë.
– Gjyshe ke selam prej nanës…
Ajo më përqafoi. Vinte shpesh. Edhe nana shkonte më shpesh. Ndërkohë Vajzat e fqiut Xhemka e Shefka, më kishin parë. Në dalje më thirën.
– A do të luajmë pakë?
Nuk mendova aspak. U futa në oborrin e tyre plot ne molla e kumbulla. Luaj e ha kumbulla të gjelbërta. Edhe në xhepa shtija. Pas një kohe me litar kërcimi, u ndamë. Erdha në shtëpi por nuk isha diçka mirë. Filloi barku të më dhemb nga pak që dalë gadalë filloi të më dhemb më shumë. Nisa të dal në shpesh në toalet.Halla më shikonte me dyshim.
– Merçe a je mirë?
– Mirë jam.
Po pse del aq shpesh? Mos ke ngrënë diçka? – jo be halla- frikesha të tregoj. Nuk do të më lenin të shkoj vet më. Darkë mezi hangra.Largohesha nga sytë e tyre a qeshë në qendër të vemendjes.Motra Melihaja ishte e vogël. Pas darke mu turbullua edhe më shumë. Nisa të vjell.
– Shefqet vajza digjet
Më matën. 39 gradë.
-Çka ke bërë sot?- më pyeste nana, halla- a ke ngrënë diçka te gjyshja?- Unë si memece. Asgjë s’flitja.Baba e mori shishen e rakisë prej izbes, më zhveshi dhe filloi të më lyejë. Më dhimbtte, por kisha faj. Nuk tregoja për kumbullat e gjelbërta. Në kujdestari baba më çoi. Mora si shpërblim një ineksion. Por deri në mëngjez kisha zjarrmi, më pak villja, dhe dilja jashtë. Në ora 9 nana më lau , më veshi, me krehu dhe baba , para se të dalim më afroi dhe më tha:
– Meritë, ti e di se unë e dua të vërtetën. Dua të më tregosh krejt,si kalove dje te gjyshja. Pa rena. E di përrallën e bariut me ujkun? Nëse më tregon drejt, unë nuk do të idhnohem. Nëse më premton se asnjëherë nuk do të më thuash ndonjë gënjeshtër, unë të premtoj se do ta plotësoj , dëshirat e tua. Tani hajde ti e para: -mendova “baba do të kuptonte, trego më mirë”
-baba unë dje te Xhemka, luanim e…hangra kumbulla të gjelbërta.
– Sigurisht? Diçka tjetër?
Unë mohoja me kokë.
– O bre Zot, shyqyr, nuk është helmuar me diçka tjetër- i thoshte halla nanës . Më çoi baba me biçikletë te dr Genadievi, një pedijatër ndër më të mirët në Tetovë. Kësaj radhe më dha vetëm shurup e vitamina. Kur u kthyem baba më shikoi dhe tha:
– Ti e mbajte premtimin. Tani unë e kam rradhën. Trego cila është dëshira jote më e nadhe?
– Trotinet dua të kem!
Atë ditë nuk më lëshuan jashtë. Shumë më thirnin shoqet, por jashtë nuk më lëshuan. e shoqet thirnin:
– Meritaaa, a do të luajsh?.. ke igrame li…ojnajmisën.
Të nesërmen isha më mirë. Shpejt hangra mëngjez dhe dola jashtë. Në murin përballë shkallëve ishte trotineti. Ooo sa u gëzova! Nuk qe halucinacion. Baba e mbajti fjalën. Edhe unë. Asnjëherë prej atëherë nuk kam gënjyer. Edhe nuk di si. Dy gjëra më mbetën prej fëmijërisë: të jem përherë e SINQERTË dhe betimi PËR BESËN SHQIPTARE.
Trotineti im i shërbeu krejt fëmijëve të mëhallës. Pritnin rend. Nuk mbetej asnjë pa hipë e rëshqitë me atë mjet lodër që na dëfrente shumë, aq të dashur për ne fëmijët.
Atëherë prej urës së dyqanit të Xhabir axhos, me trotinet lëviznim drejt deri te dera jonë dhe pas..
e luanim, ndërsa sot, shoh më tepër të rritur se sa fëmijë.
* Në foto me babën në shkollën fillore ” Lirija” me trotinetin. Sa krenare isha me babën tim.