Kufizime parazgjedhore për zyrtarët, ndërmarrjet publike dhe shpenzimet buxhetore
Në prag të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill, zgjedhjeve parlamentare më 8 maj dhe fillimit të fushatës parazgjedhore, Kodi Zgjedhor parasheh kufizime parazgjedhore për zyrtarët, ndërmarrjet publike dhe shpenzimet buxhetore.
Në periudhën prej 20 ditësh para fillimit të fushatës zgjedhore deri në përfundimin e zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve në Kuvend dhe zgjedhjes së Qeverisë, nuk mund të mbahen ngjarje publike me rastin e fillimit të ndërtimit apo vënies në punë të objekteve të ndërtuara me mjete nga Buxheti ose nga fondet publike, ose me mjete të ndërmarrjeve publike ose personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror.
Ndalimi i mbajtjes së ngjarjeve publike nuk nënkupton dhënien e një deklarate publike të një bartësi të funksionit publik ose një kandidati për funksion publik në një tubim, intervistë për media, debat mediatik ose përgjigje në pyetjen e një gazetari.
Në bazë të nenit 8a të Kodit Zgjedhor, nga dita e marrjes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve në Kuvend dhe zgjedhjes së Qeverisë, nuk mund të fillojë ndërtimi me mjete financiare nga buxheti ose nga fondet publike ose mjetet e ndërmarrjeve publike dhe personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror për objektet e reja infrastrukturore si rrugët, tubacionet e ujit, linjat e transmetimit, kanalizimet e zeza, terrenet sportive dhe objekte të tjera ose objekte për aktivitete shoqërore si shkolla; kopshte dhe objekte të tjera, përveç nëse për këtë qëllim paraprakisht janë siguruar mjete nga buxheti, përkatësisht bëhet fjalë për zbatimin e një programi të miratuar në bazë të ligjit në vitin aktual.
Gjithashtu nuk është e mundur të bëhen pagesa kompensimi nga mjetet buxhetore apo mjetet publike që nuk janë pagesa të rregullta mujore, as të tjetërsohet kapitali shtetëror apo të nënshkruhen kontrata kolektive. Në institucionet shtetërore dhe publike nuk do të mund të fillojë procedurë për punësimin e personave të rinj apo ndërprerje të marrëdhënies së punës.
Deri në përfundim të zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve, Ministria e Financave është e obliguar që të gjitha pagesat buxhetore, përveç pagave të rregullta, pensioneve dhe shpenzimeve komunale, t’i publikojë publikisht në internet në një bazë të posaçme të dhënash për shpenzimet buxhetore në periudhën zgjedhore.
Ministria e Financave, dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve paraqet një raport financiar parazgjedhor me pasqyrë të të gjitha të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara nga buxheti sipas zërave, në periudhën nga fillimi i vitit fiskal deri në ditën e paraqitjes së raportit.
Fondet publike, ndërmarrjet publike dhe të gjitha personat e tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror, në afat prej dhjetë ditësh nga dita e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve për president dhe deputet në Kuvend, ishin të detyruara t’i dorëzojnë të dhënat në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për numrin, llojin, targën dhe gjendjen e e mjeteve motorike që disponojnë. Të dhënat dorëzohen në formë elektronike në formularin të cilin me propozim të KSHPK-së e shkruan KSHZ-ja.
KSHPK në ueb faqen e saj e publikon regjistrin e mjeteve motorike zyrtare të fondeve publike, ndërmarrjeve publike dhe të gjithë personave të tjerë juridikë që posedojnë kapital shtetëror. Nëse personat juridikë nuk dorëzojnë të dhëna, KSHPK-ja fillon procedurë kundërvajtëse në afat prej 15 ditësh nga skadimi i afatit për dorëzimin e të dhënave.
Zgjedhjet e shtata presidenciale në vend duhet të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e 11-ta parlamentare më 8 maj së bashku për raundin e dytë të mundshëm të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas librit të afateve të miratuar nga KSHZ-ja, fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe në rrethin e parë dhe të dytë të votimit dhe nuk duhet të zgjasë 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill në orën 00:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 22 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të jetë nga 18 prilli deri më 6 maj.