Kryetarët e komunave të Shkupit kallëzim penal për Arsovskën
Mëngjesin e së hënës në rrugët e Shkupit sërish kishte kontejnerë të tejmbushur me mbeturina, nga të cilët po përhapet erë e keqe pasi të punësuarit e ndërmarrjes së qytetit “Higjiena Komunale” – Shkup, për disa ditë në shenjë proteste refuzuan t’i zbrazin kontejnerët. Disa nga kryetarët e komunave të Shkupit kanë bërë të ditur se janë organizuar për pastrimin e mbeturinave.
Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, tha se vetë shërbimet komunale nga mëngjesi i sotëm do të fillojnë me grumbullimin e mbeturinave. Ai tha se e gjithë makineria e NP “POC” do të jetë në terren, si dhe pajisje shtesë për grumbullimin e mbeturinave.
Kryetarët e komunave të Aerodromit dhe Kisella Vodës, Timço Mucunski dhe Orce Gjorgjievski të dielën njoftuan se do të fillojnë vetë pastrimin e mbeturinave. Ata mbrëmë kanë tentuar të lënë mbeturinat e grumbulluara nga kamionët në deponinë “Drisla” në Shkup, prej nga nuk janë lejuar të hyjnë në deponi.
Nga një video e publikuar në rrjetet sociale shihet se si një kamion i mbushur me mbeturina i hedh mbeturinat përballë “Drislës”.
Të hënën me një deklaratë për opinionin ka reaguar NP “Drisla”, e cila ka bërë të ditur se Komuna Aerodrom dhe Kisella Voda nuk kanë marrëveshje me ta për deponimin e mbeturinave dhe se ajo ka skaduar në muajin mars. Nga deponia e Shkupit thanë se me hedhjen e mbeturinave para hyrjes së ndërmarrjes, kryetarët Mucunski dhe Gjorgjievski kanë kryer krim kundër mjedisit dhe pyesin se ku i depozitojnë këto komuna mbeturinat që pretendojnë se i mbledhin nëse nuk kanë marrëveshje me ta.