Kryeministri Xhaferi në Çashkë vizitoi shkollën “Todor Janev”, ku kishte protesta
Kryeministri Talat Xhaferi ka qëndruar në komunën e Çashkës ku ka vizituar shkollën fillore “Todor Janev” në të cilën vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti kishte bojkot të procesit mësimor, për shkak të mospajtimeve me hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Por ky problem tanimë është tejkaluar, deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.
“Më vjen mirë që në vendngjarje mund të shoh që procesi edukativo-arsimor rrjedh në kontekst të asaj që ishte marrëveshje për tejkalim të mospajtimeve rreth procesit edukativo-arsimor. Dhe siç e dini, nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe do të vazhdojnë të mësojnë deri në fund të vitit në këtë objekt, në rrjedhë janë procedurat për realizimin e vendimit të Qeverisë për themelim të subjektit të ri të shkollës së re në të cilën do të mësohet në gjuhën shqipe. Nxënësit nga viti i ardhshëm shkollor që mësojnë në gjuhën shqipe do të transferohen në objektin e ri.”, – deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.
Me objektin e ri plotësohet obligimi kushtetues që fëmijët të mësojnë në gjuhën amtare, theksoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
“Fëmijët të cilët janë në këtë shkollë që mësojnë në gjuhën shqipe janë nga zona të ndryshme, janë nga rrethe të ndryshme dhe ndoshta lokacioni i ri i shkollës do të jetë më afër për këto fëmijë, por është zgjidhje afatgjate edhe për të gjithë fëmijët tjerë.”, – theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, shpreh keqardhje për protestat, por thotë se ishte përzier edhe politika.
“Unë si kryetar komune me të vërtetë ndjej keqardhje që kanë ndodhur ato protesta dhe më vjen keq që këtu u implikua seriozisht politika duke e pasur parasysh edhe periudhën parazgjedhore.”, – u shpreh kryetari i Çashkës, Goran Stojanovski.
Delegacioni qeveritar ka qëndruar edhe në fshatin Sogle ku kanë vizituar shkollën e atjeshme, si dhe shkollën “Liria” në Jabollçishtë të Poshtme, transmeton TVM2.