Maqedoni

Kryediplomati rus në Shkup, Qeveria ia lë barrën e vendimit MPJ-së

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme që vetë të vendosë për dhënien ose jo të lejes për ardhjen e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në Shkup gjatë mbledhjes së OSBE-së nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor. Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se gjatë seancës së sotshme të Qeverisë, është vendosur që ministrit kompetente të procedojnë më tej në lidhje me pjesëmаrrjen e Lavrovit ose jo.

MPJ

“Në seancën e sotme të Qeverisë, Qeveria solli plotësimin e Vendimit për vendosjen e masave kufizuese në lidhje me aktivitetet e Federatës Ruse, me të cilin kufizohet qasja e aviacionit të Federatës Ruse dhe në përputhje me Rregullativën e Këshillit të BE-së nga Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut është plotësisht ose 100% e harmonizuar. Përmes këtij plotësimi, Qeveria u dha autorizim ministrive kompetente që vetë të mund të vendosin për dhënien e lejes për fluturimin dhe aterimin e avionit rus gjatë mbajtjes së takimit ministror të tridhjetë të OSBE-së në Shkup, në periudhën nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023”

Sipas ministrisë, vendimi është në përputhje me rregullativën e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese ,e të cilat parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja.

Ministri i Punëve të Jashtme, Buajr Osmani, paraprakisht ka thënë se Lavrorv i ka dërguar një letër në fillim të nëntorit, në të cilën ka treguar interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup.

Ndryshe nga qëndrimi i Osmanit, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, së fundmi ka deklaruar se nuk e sheh të arsyeshme që Lavrov të vijë në Shkup.

Në Këshillin Ministror të OSBE-së, i cili do të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor në Qendrën Sportive “Boris Trajkovski”, do të marrin pjesë 76 delegacione nga vendet anëtare dhe partner të OSBE-së dhe në delegacione priten 1000 mysafirë.