Kroacia kundër propozimit të Gjermanisë dhe Francës për heqjen e vetos në BE
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, pas takimit në Zagreb me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michael, tha se kundërshton heqjen e vendimmarrjes unanime në institucionet e Bashkimit Evropian, të cilën gjë e ka propozuar Gjermania dhe Franca.
Michael është një nga ithtarët e reformës së vendimmarrjes në Bashkimin Evropian, e cila supozohet se do t’i linte vendet e vogla pa mundësinë e vendosjes së vetos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Ky propozim do të votohet me shumicë të cilësuar, që do të thotë se vendet si Kroacia apo Hungaria nuk do të jenë në gjendje të vënë veton ndaj disa vendimeve që ata konsiderojnë se janë në interesin e tyre.
I pyetur nga një gazetar se çfarë mendon për një propozim të tillë, Plenkoviq është përgjigjur se “ne nuk jemi pro”, dhe shtoi se “është e rëndësishme që shtetet, veçanërisht ato që janë bashkuar së fundmi, ta ruajnë atë mundësi”.
ga ana tjetër, Michel tha se duhet gjetur një ekuilibër mes unitetit dhe nevojës për të vepruar shpejt.
“Ka një diskutim politik në vazhdim dhe ka ide të ndryshme se si të vendoset në Këshillin Evropian. Takime të tilla në formate më të vogla do të na lejojnë të kuptojmë më mirë prioritetet e vendeve anëtare dhe të shohim nëse ka vend për reforma të caktuara. Nuk do të thotë se ne duam që në të ardhmen gjithçka të vendoset me shumicë të cilësuar, por një reformë e mundshme do të përmbajë, për shembull, një mekanizëm që do të parandalonte abuzimin me të drejtën e vetos”, tha Michael.