Maqedoni

“Kriza” me dokumentet personale, Toshkovski: Janë vërtetuar lëshime gjatë porosive

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka zbuluar detaje për përgjegjësinë për menaxhimin e operacionit të zëvendësimit të dokumenteve të vjetra personale me të reja. Departamenti i Kontrollit të Brendshëm në MPB ka konstatuar lëshime tek dy ndihmësit e MPB-së në lidhje me planifikimin e procesit të prokurimit dhe lëshimit të dokumenteve personale. Për njërin nga ndihmësit do të iniciohet procedurë disiplinore, ndërsa për tjetrin ka skaduar afati prej 12 muajsh për përgjegjësi, deklaroi Toshkovski.
“Nga i gjithë ky kaos i cili ndodhi me dokumentet e udhëtimit, por edhe me dokumentet e tjera personale, në raport është vërtetuar se lëshime janë bërë gjatë porosive, si dhe në dinamikën e furnizimit, gjegjësisht planifikimit dhe menaxhimit të procesit të furnizimit të numrit të përgjithshëm të dokumenteve personale nga aspekti i ekzemplarit i cili nuk është në përputhje me nevojat e qytetarëve.”, – theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai gjithashtu njoftoi se raporti i kontrollit të brendshëm është dorëzuar në Prokurorinë Publike për procedurë të mëtutjeshme. Rritje të kërkesës për dokumentet e personale nga MPB-ja presin gjatë periudhës verore, por zotohen se do të bëjnë të pamundurën që ata që paraqiten në afat prej 6 ditëve të marrin dokumentet e tyre dhe të mos përsëritet fotografia e turmave para sporteleve.
“Për dallim nga disa javë më parë, periudhën e fundit nuk vërehen radhë të gjatë nëpër pikat e MPB-së për marrjen e dokumenteve personale.”, – tha Toshkovski.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se me modelin e ri të dorëzimit të dokumenteve personale është rritur dukshëm numri i dhënies së letërnjoftimeve, ndërsa vetëm gjatë vikendit janë miratuar rreth 20 mijë kërkesa për lëshimin e letërnjoftimeve .