Maqedoni

Kreu sulmin me tritol në Tiranë dhe me taksi erdhi në Maqedoni

Alves Reçi u hoq si italian kur i plasën tritolin Preng Gjinit, iku me taksi në Maqedoni
Alves Reçi është identifikuar nga policia kriminale qysh në muajin shtator 2020, kur ka ndodhur sulmi me 400 gramë tritol ndaj Preng Gjinit.

Një tjetër emër del në skenë për atentatin e planifikuar ndaj Preng Gjinit. Bëhet fjalë për Alves Reçin, i cili ka pasur një rol po aq të rëndësishëm sa kushëriri i tij, Elson Reçi në hakmarrjen për vrasjen e të afërmit të tyre, biznesmenit Kastriot Reçi në mes të Mirditës me snajper. Gazetari Elton Qyno ka zbardhur për “OraNeës” një raport të dërguar nga Policia Kriminale për Prokurorinë e Tiranës, ku hidhte dyshime të forta mbi Alves Reçin për pjesëmarrjen në atentatin e dështuar ndaj Preng Gjinit.

Alves Reçi është identifikuar nga policia kriminale qysh në muajin shtator 2020, kur ka ndodhur sulmi me 400 gramë tritol ndaj Preng Gjinit.

Sipas relacionit të përpiluar në shtator 2020, Alvesi njëri nga djemtë e vëllait të, Kastriot Reçit, në momentin kur ka ndodhur shpërthimi ka qenë në një lokal, shumë pranë urrës së “N.SH.R.A.K.U-t”, dhe prej andej mësohet se është personi që ka aktivizuar lëndën shpërthyese.

Teksa qëndronte në lokal, është sjellë si italian, madje ka komunikuar italiasht me kamarierin dhe nga atje është çuar vetëm pasi kishte aktivizuar lëndën plasëse poshtë makinës së Gjinit. Por nuk ka ikur pa e pyetur kamerierin se nga cila ana e qytetit binte “Rruga e Elbasanit”, për të çuar deri në fund rolin e tij si “i huaj”. Kamerat e sigurisë së lokalit e kanë kapur teksa del jashtë dhe qëndron pak në trotuar për të parë pasojat e shpërthimit. Pasi sheh çfarë ka ndodhur me mjetin e Preng Gjinit, duke menduar se e ka vrarë, lëviz nga vendi i ngjarjes, madje në një moment edhe vrapon derisa shkon në kryqëzimin e “Vasil Shanto-s”. Nga atje merr një taksi dhe largohet për në Elbasan, nga Elbasani shfaqet në pikën kufitare të “Qafë-Thanës” dhe futet në Maqedoninë e Veriut. Në vendin fqinjë nuk qëndron shumë dhe futet sërish në Shqipëri pas 2 ditësh, për të shkuar në Rrëshen.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hodhi dritë mbi prapaskenat e atentatit të organizuar nga Edison Reçit ndaj Preng Gjinit, i ndodhur më 15 shtator të vitit 2020. Sipas SPAK, Edison Reçi ka organizuar vrasjen e Gjinit me qëllim hakmarrjeje dhe ka rekrutuar si pjesë të grupit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e tij. Gjithashtu, sipas SPAK, Reçi ndihmohej nga Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, që i jepte informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e Gjinit./ZËRI