Maqedoni

Kovaçevski-Vikers: Marrëdhëniet tregtare mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar janë shembull për rajonin

Shkup, 27 shtator 2023 (MIA)- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot pati takim me Martin Vikers, të dërguarin special për tregtinë për Ballkanin Perëndimor të Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet e përgjithshme maqedono-britanike, të cilat së bashkërisht u vlerësuan si jashtëzakonisht të qëndrueshme, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse.Vëmendje e veçantë iu përkushtua bashkëpunimit dypalësh ekonomiko-tregtar, ku Kryeministri Kovaçevski shprehu kënaqësinë e madhe që Mbretëria e Bashkuar është investitori i dytë më i madh i huaj direkt në vendin tonë, ndërsa Maqedonia e Veriut është partneri i parë tregtar i Mbretërisë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kovaçevski përshëndeti punën e kompanive britanike në vend dhe shprehu kënaqësinë me themelimin e Asociacionit Britanik të Biznesit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se i njëjti do të kontribuojë në promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut dhe tërheqjen e investimeve të reja britanike në vend.

Në takim u bisedua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik edhe në fusha të tjera.”Qeverinë që unë drejtoj është e përkushtuar për përforcimin e tregtisë dhe investimeve, veçanërisht në fushat si energjetika dhe infrastruktura”, vlerësoi Kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri e njohu përfaqësuesin britanik për tregti edhe me aktualitetet në vend në planin e brendshëm dhe të jashtëm politik, dhe në të njëjtën kohë falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme britanike të Maqedonisë së Veriut, e reflektuar përmes bashkëpunimit në shumë fusha, në drejtim të përforcimit të kapaciteteve demokratike dhe zhvillimit ekonomik të shtetit.

I dërguari special për tregti, Vikers theksoi se Mbretëria e Bashkuar njeh dhe mirëpret kontributin e Maqedonisë së Veriut në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, dhe në kuadër të NATO-s dhe theksoi se mbështetja britanike për Maqedoninë e Veriut në integrimin evropian do të vazhdojë në formate të ndryshme, megjithëse Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e Unionit.