Maqedoni

Kovaçevski thotë se “Ballkani i Hapur” është BE e vogël

TAKIM KOVAÇEVSKI – KURTI: PËRSHËNDETET PROPOZIMI EVROPIAN

Forumin Ekonomik në Shkup, këtë vit, e pritëm me një sfidë të madhe. Përballemi me agresionin rus në Ukrainë, që ka lëkundur skenën gjeopolitike duke lënë pasoja të përditshme – tha në fjalimin e tij, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njofton KlanM.

Sipas tij, takimet e kësaj natyre sjellin përvoja të reja që hapin horizonte për një të nesërme më të mirë.

“Deri tani e kam thënë, por sërish do të them. Tashmë nuk është çështja nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet pjesë e BE-së. Forumin Ekonomik e shoh si vazhdim respektivisht si plotësim të nismave të përbashkëta rajonale, në mesin e të cilëve Ballkanin e Hapur, ku përmes projekteve të ndryshme, lehtësojmë dhe përmirësojmë jetën e qytetarëve” – tha Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski, sic njofton KlanM, ka falënderuar partnerët strategjik SHBA-të dhe BE-në, sic u shpreh, për mbështetjen e parezervë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

“Vendi ynë, bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë tashmë është duke funksionuar si BE në miniaturë. Kohë më parë Kuvendi i RMV-së ratifikoi zgjidhjet ligjore që dolën nga nisma “Ballkani i Hapur”. Me këtë tashmë nuk ka kufij midis këtyre tre vendeve. Ballkani I Hapur është realitet për RMV-në, Serbinë dhe Shqipërinë. Është liberalizuar tregu rajonal I punës” – deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në margjinat e Forumit Ekonomik që mbahet në Shkup, ka takuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kovaçevski gjatë takimit ka përshëndetur marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, duke përmendur gatishmërinë e RMV-së në rolin e kryesuesit të OSBE-së që të ndihmojë procesin, veçanërisht në fazën e implementimit të pjesëve të caktuara të marrëveshjes eventuale. /KlanMacedonia/