Kovaçevski përkrah Osmanin për rëndësin e rrogës: Nuk i besoj njeriut që punon pa rrogë!
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se pajtohet me deklaratën e ministrit Bujar Osmani për pagat e funksionarëve.
“Njerëzit punojnë për rrogë. Ka disa që thonë se do të punonin edhe pa rrogë dhe unë në atë njeri nuk besoj. Kam përvojë pune 25 vjeçare dhe nuk besoj në njerëz të tillë”, ka thënë Kovaçevski, transmeton SHENJA.
Kovaçevski tha se në momentin që do të përgatitet zgjidhja nga ana e grupit të punës, atëherë do të mund të bisedohet për zgjidhje konkrete.
“Zgjidhja duhet të jetë e pranueshme nga deputetët dhe nga të gjithë funksionarët e zgjedhur të cilët paguhen sipas ligjeve”, shtoi kryeministri.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dje tha se ai jeton vetëm nga paga, të cilën e ka të rëndësishme dhe sipas tij, nuk mendon se është për tu lavdëruar kur politikanët thonë se nuk e kanë të rëndësishme pagën.