May 9, 2024
Maqedoni

Kovaçevski i kënaqur nga ministrat e BDI-së si gjithë kryeministrat tjerë maqedonas pas vitit 2002

Kryeministri i ri Dimitar Kovaçevski, duke e elaboruar vendimin për t’i emëruar ministrat e deritanishëm të BDI-së sërish në Qeveri, tha se këtë e ka bërë pasi është i kënaqur nga bashkëpunimi që e ka pasur me ta derisa e kryente funksionin e zëvendësministrit të Financave.

Kovaçevski si gjithë kryeministrat maqedonas pas vitit 2002 është shprehur i kënaqur nga ministrat e BDI-së.

“Njerëzit me të cilët kam punuar asnjëherë nuk i kam ndarë me kuadro nga një parti e caktuar politike ose nga një kohë e caktuar. Gjithmonë i vlerësoj në bazë të performancave të tyre profesionale. Me ministrat që ishin pjesë e qeverisë, ndërsa tani sërish janë pjesë e kësaj Qeverie, kam pasur bashkëpunim si zëvendësministër i Financave dhe mund të them se personalisht jam i kënaqur nga performancat e ministrave të BDI-së të cilët i kam propozuar”, deklaroi Kovaçevski, duke iu përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse pajtohet se kuadrot e BDI-së janë të pazëvendësueshëm.

Qeveria e re e kryesuar nga Dimitar Kovaçevski u zgjodh dje, ndërsa që sot ai u takua me presidentin Stevo Pendarovski. Në një pjesë të ministrive u bë edhe pranim-dorëzimi i funksioneve.