May 14, 2024
Maqedoni

Kovaçevski: Do të ketë qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve

Përderisa krerët e partive politike në vend, po diskutojnë për datat e mundshme se kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe ato presidenciale, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka deklaruar se Qeveri teknike do të ketë 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare. Kjo çështje është aktualizuar tash, megjithëse disa zyrtarë shtetërorë më herët patën vlerësuar se Qeveria teknike nuk ishte e nevojshme për shtetin.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Duhet të kemi parasysh që gjatë muajve të pranverës kemi edhe festa fetare që bashkëqytetarët tanë i respektojnë, duke i marrë parasysh të gjitha këta supozime, do të vendoset edhe data, ndërsa normalisht në afatet ligjore, marrë parasysh që në ligjin tonë ekziston obligim për Qeveri teknike, ajo do të jetë 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ashtu siç ka qenë deri tani”.

Ndërkaq, ditë më parë, këtë çështje e ka sqaruar edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ai ka thënë se Qeveria e Përzhinos, apo “qeveria teknike” është shndërruar në ligj dhe qëndron në Ligjin aktual për Qeverinë. Xhaferi ka deklaruar se partitë duhet t’i kushtojnë vëmendje obligimeve ligjore kur spekulojnë për një datë për zgjedhje. Sipas ligjit aktual, kreu i Kuvendit thekson se qeveria teknike duhet të formohet në 100 ditët e fundit të mandatit, përkatësisht 100 ditë para 5 majit, si një datë e parë e mundshme për zgjedhjet parlamentare. “Kjo është në ligj dhe ky ligj duhet të respektohet”, ka shtuar Xhaferi.