May 29, 2024
Kosovë

Kosovarët pa viza në BE nga 1 janari!

Ministrat e BE-së miratojnë hapin kyç drejt liberalizimit të vizave për Kosovën

Pasi në nivelin e lartë politik, atë të ministrave të Brendshëm, është miratuar vendimi për liberalizimin e vizave, mbeten vetëm edhe disa hapa formal deri te përmbyllja e procesit. Vendimi pritet të nënshkruhet në muajin prill, të botohet në fletën zyrtare të BE-së dhe të jetë gati për të hyrë në fuqi, sipas të gjitha gjasave, me 1 janar të vitit 2024

Vendimi formal për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës i është afruar fundit pasi të enjten atë e kanë miratuar në lexim të parë edhe ministrat e Brendshëm të BE-së në takimin e Këshillit të punëve të brendshme të BE-së. Është ky hapi kyç formal drejt përmbylljes së procesit pasi në pjesën e fundit të vitit të shkuar me tekstin e vendimit ishin pajtuar ambasadorët e vendeve anëtare e më pas edhe negociatorët e Këshillit të BE-së me ata të Parlamentit Evropian. Ky vendim do të qojë deri tek heqja e vizave për udhëtimin e qytetarëve të Kosovës në të gjitha vendet e zonës Schengen ku janë vendet e BE-së por edhe Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, të cilat edhe pse nuk janë në BE janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë evropiane e njohur me emrin Schengen.

Ministrat të enjten, kanë miratuar këtë vendim “në lexim të parë“, pa diskutime shtesë pasi për këtë më herët, më 1 mars në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel. Kënaqësi për këtë vendim ka shprehur edhe ministrja e Brendshme e Suedisë Maria Malmer Stenegard.

“Këshilli sot miratoi pozicionin për lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuar nga Kosova. Sipas rregullave të reja kjo u mundëson bartësve të këtyre pasaportave udhëtim në BE pa viza me mundësi qëndrimi për një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditësh. Ky përjashtim nga detyrimi për viza do të vlejë nga data kur të jetë në fuqi Sistemi Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) apo prej 1 janarit të vitit 2024, varësisht se cila nga këto data do të jetë më e hershme”, ka thënë ajo.

“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e migracionit dhe sigurinë dhe për të përshtatur politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi ynë në këtë fushë do të vazhdojë“ ka thënë ministrja e Suedisë Maria Malmer Stenegard.

Kosova është vendi i cili ka pritur më së shumti për vendimin për liberalizimin e vizave. E fundit kishte nisur këtë proces, ndërkohë që të gjitha vendet tjera të rajonit kishin fituar mundësinë e lëvizjes së lirë para më shumë se 10 vjetësh.

Ndonëse Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret qysh në vitin 2018, këtë e kishte konfirmuar edhe Komisioni Evropian, çështje për vite kishte mbetur e bllokuar në Këshill, ku disa vende ishin kundër. Në mesin e vendeve që më së shumti kishin penguar këtë vendim ishin Franca dhe Holanda. Por në vitin e shkuar edhe këto dy shtete u pajtuan që Kosova ka bërë të gjitha detyrat e kërkuara nga ajo dhe meriton liberalizimin e vizave.

Teksti i vendimit që u miratua të enjten nuk ka ndryshuar dhe është po i njëjti për të cilin ishin pajtuar vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian në procesin e vendimmarrjes në fund të vitit të shkuar.

Sipas këtij vendimi data e nisjes së liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional Sistemi i Autorizimit dhe Verifikimit të Udhëtimeve (ETIAS) apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Tashmë është e ditur se do të ketë përsëri shtyrje të afatit për hyrjen në fuqi të ETIAS-it për vitin e ardhshëm prandaj edhe data 1 janar 2024 mbetet afati më real për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo do të ndodhë edhe nëse sistemi ETIAS nuk do të jetë funksional deri në atë datë. Dhe kur ETIAS-i të hyjë në fuqi do të jetë shumë e lehtë për qytetarët që të përdorin atë.

Ata vetëm duhet të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnë në BE, të shënojnë të dhënat e tyre e pastaj marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për 3 vite. Për këtë qytetarët duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë këtë falas. I tërë procesi zgjat vetëm disa minuta dhe menjëherë në mënyrë elektronike marrin përgjigjen.

Por nëse personat që duan të udhëtojnë në BE pa viza kanë ndonjë dosje për veprimtari kriminale kjo mund ta bëjë më të vështirë marrjen e atorizimit. Dhe ky edhe është qëllimi i sistemit ETIAS, pra t’u mundësojë vendeve të BE-së të dinë paraprakisht se kush do të hyjë në territorin e tyre. Një sistem të njëjtë në këtë moment kanë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi në nivelin e lartë politikë, atë të ministrave të Brendshëm, është miratuar vendimi për liberalizimin e vizave, mbeten vetëm edhe disa hapa formal deri tek përmbyllja e procesit. Vendimi pritet të nënshkruhet në muajin Prill, të botohet në fletën zyrtare të BE-së dhe të jetë gati për të hyrë në fuqi, sipas të gjitha gjasave, me 1 janar të vitit 2024.

Tash vendimi do të miratohet edhe një herë në Komisionin përkatës të Parlamentit Evropian dhe në seancë plenare, pastaj të jetë gati për t’u nënshkruar. E gjithë kjo pritet të ndodhë në muajin mars apo prill, dhe gjithsesi para fundit të qershorit kur përfundon edhe kryesimi i Suedisë me BE-në.

Sveçla i lumtur me vendimin e Këshillit për liberaizimin e vizave për Kosovën

Vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së e ka përshëndetur edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Jam i kënaqur që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar me shumicë votash liberalizimin e vizave për Kosovën. Falënderoj të gjithë Ministrat për votën pozitive dhe besoj që ky proces do të përmbyllet së shpejti. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt integrimit evropian në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.