Maqedoni

Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë në evidencën zyrtare në Maqedoni

Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë në evidencën zyrtare në Maqedoni. Një rast konkret sjell profesori universitar Arbër Çeliku, i cili është nga Kërçova (fshati Crvicë), por ka lindur në Prishtinë. Mirëpo edhe në letërnjoftimin e ri si shtet i lindjes atij i figuron Serbia, e jo Kosova.
Ja shkrimi i tij i plotë:

Unë jam i lindur në Prishtinë, në shtetin e Kosovës, të cilin Maqedonia e Veriut e ka njohur, por edhe në letërnjoftimin e ri, të lëshuar në emrin tim së fundmi, me emërtimin e ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut, Prishtina evidentohet si Serbi. Me këtë akt, fillimisht cenohet e drejta ime identitare, injorohet Marrëveshja e ndërsjellë shtetërore midis RMV-së dhe RKS-së dhe qartazi dëshmohet për mosinteresimin deri në shpërfillje të poltikëbërjes shqiptare në RMV se Kosova zyrtarisht është inekzistente në procedurat administrative të Maqedonisë së Veriut.
Personalisht ndihem thellësisht i ofenduar dhe i revoltuar, që letërnjoftimi im i lëshuar nga Ministria e punëve të brendshme e RMV përmban të dhëna zyrtare që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, që si vendi im i lindjes, figuron një shtet, i cili ka qenë pushtues në Kosovë dhe asgjë tjetër.
Më shumë më vret fakti, se sa herë që kërkoj të ndryshohet ky akt i qëllimtë tendencioz përpara organeve kompetente, marr përgjigjen se Kosovën nuk e njihka “sistemi elektronik” i RMV-së.
Ky është një akt i turpshëm për shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe akoma më i turpshëm për partitë politike shqiptare në pushtet.

(