Komuna e Tetovës nuk respekton vendimin e Qeverisë, vazhdojnë punimet për rinovimin e Stadiumit
“Edhe përkundër urdhëresës që Qeveria javë më parë i lëshoi komunës së Tetovës për ndërprerjen e punimeve tek stadiumi i qytetit në Tetovë, punimet, siç e shihni pas meje nuk janë ndërprerë për renovimin e stadiumit. Nga komuna e Tetovës thonë se ky vendim nuk vlen, dhe nuk do respektohet, ndërsa premtojnë se brenda tre vitesh, stadiumi do të jetë i rinovuar”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Vendimin e saj për ndërprerjen e punimeve, Qeveria e arsyetoi me ndarjen e stadiumit në menaxhim të Ndërmarrjes për transport. Por ky arsyetim u hodh poshtë nga Komuna. Nga atje thonë se stadiumi nuk i jepet në pronësi ndërmarrjes por ndërtimi i stadiumit i kalon në menaxhim ndërmarrjes për Transport.
“Në kabinet ka arritur vendimi i Qeverisë për ndërprerjen e punimeve tek stadiumi i qytetit, por, pavarësisht vendimit ne nuk do ndalemi dhe do të vazhdojnë punimet për rindërtimin e stadiumit, sepse, nuk respektojmë vendime të kësaj Qeverie të korruptuar që është në ikje. Së pari punimet që kanë nisur, janë ndërmarrë me gjitha procedurat ligjore dhe është hapur ligjërisht tenderi, dhe gjithëçka shkon sipas rregullave dhe Ligjit, dhe për tre vite do përfundoj komplet rikonstruimi i stadiumit të qytetit”, deklaroi Besar Durmishi, Komuna e Tetovës.
Vendimi i Qeverisë në ikje i cili sot ka arritur në komunën e Tetovës, akuzon komunën se nuk ka të drejtë të jep në pronësi apo në menaxhim të përhershëm, pronën e shtetit.
“Qeveria në arritjen e konkluzioneve të mbledhjes ka marrë parasysh edhe dispozitat e Ligjit për Shfrytëzimin dhe Disponimin me Sendet në Pronë Shtetërore dhe me Sendet në Pronë Komunale, sipas së cilës kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga Qeveria.
Kërkuam prononcim edhe nga tifozët e klubit Tetovar Shkëndija, të cilët, edhe pse nuk deshën të dalin para kamerave, përmes telefonit deklaruan se askush nuk ka të drejtë të pengojë punimet për stadiumin e klubit Shkëndija. Punimet për ndërtimin e stadiumit të qytetit, kanë filluar një muaj më parë, ndërsa sipas paralajmërimeve, do zgjasin tre vite. Ky projekt komunës së Tetovës do t’i kushtojë 10 milion euro. /Alsat.mk