Maqedoni

Kompletohet lënda për fishekzjarrët, Drin Ahmeti pritet të rrëfehet në Prokurori

Drin Ahmeti, nipi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili dy ditë para Vitit të Ri u kap nga policia me fishekzjarre, ditëve në vijim do të japë deklaratë në Prokurori, pasi tashmë është kompletuar lënda kundër tij, raporton TV Sitel. Drini u arrestua më 30 dhjetor pasi policia i gjeti 750 mjete piroteknike të mbështjella me thasë të zinj në makinën e tij.

Ai pretendoi se fishekzjarrët i kishte blerë për nipërit e tij dhe blerja ishte e ligjshme. Prokuroria sqaron se është hetuar origjina dhe mënyra se si janë blerë qindra fishekzjarrë.

“Janë grumbulluar prova materiale dhe verbale dhe pas dëshmisë së Drin Ahmetit, do të merret vendimi i prokurorit publik”, thonë nga Prokuroria.

Sipas Kodit Penal, mbajtja e lëndëve plasëse paraqet vepër penale. Personit që kapet me mjete piroteknike, përballet me gjobë në para ose me burgim nga 1 deri në 3 vjet burg, në varësi të numrit të fishekzjarrëve.