April 26, 2024
Lajmet e rejaMaqedoni

Kompania turke deshi të fitojë tender 200 milionë euro në Shkup pa garanci adekuate, mbeti “me gishta në gojë”

Pas shumë peripecive dhe polemikave me projektin e financuar nga paratë evropiane, kontrata për ndërtimin e impinjantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup është depozituar në selinë e “Ujësjellësit” të Shkupit.

Kontrata është nënshkruar fshehurazi dy ditë më parë dhe sipas informacioneve të Tv Telna, për dyqind milionë euro impiantin e trajtimit të ujërave të zeza pranë lagjes Trubarevë, do ta ndërtojë kompania gjermane WTE Wassertechnik GmbH së bashku me kompaninë vendase Zhikol.

Ata mposhtën në tender kompaninë turke Kuzu Group dhe paraqitën një ofertë më të plotë. Për shkak të këtij tenderi, në koalicionin e qeverisë së qytetit në Shkup, kryetarja Danela Arsovska u “divorcua” nga partnerët e VMRO-DPMNE-së, duke akuzuar partinë dhe Mickoskin se kanë futur “doçkat në mjaltë”.

Por edhe pse flitej se Arsovska në prapaskenë bënte tifo për kompaninë turke Kuzu, tenderin e fitoi kompania gjermane, e cila është shumë më me përvojë në ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza.

WTE dhe Zhikol, përveç ofertës më cilësore, kishin edhe një garanci bankare adekuate, ndërsa turqit ofruan garanci bankare jo nga një bankë, por nga një institucion financiar me seli në Monako.

Pasi Banka Kombëtare u përgjigj se nuk ekziston një bankë e tillë, kompanisë turke iu ofrua afat plotësues të ofronte një garanci të re, por ata nuk mundën të bëjnë një gjë të tillë, për shkak të luftës në Ukrainë.

Në këtë mënyrë, gjermanët mbetën kandidatë të vetëm në garë dhe fituan tenderin.