June 26, 2024
Kosovë

Kompania izraelite: Grupi “Wagner” është nisur për në Kosovë

Nga kanali i PMC Wagner në Telegram thuhet se grupi terrorist ‘Wagner” “është nisur për në Kosovë”. Lajmi vjen një ditë pasi ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit

Kompania izraelite “Terror Alarm”, në një postim në rrjetin social, Twitter, mbrëmjen e së hënës ka thënë se “Grupi terrorist Wagner është nisur për në Kosovë”.

Kompania që ka lëshuar këtë njoftim është e njohur për paralajmërimet e autoriteteve për sulmet terroriste dhe parandalimin e shumë prej tyre në kulmin e sulmeve të ISIS-it në Evropë të viteve 2014-2017, raporton KP.

Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Wagner në Telegram.

Postimi në llogarinë e Twitter-it, “Terror Alarm” erdhi pas eskalimit të situatës në Zveçan, ku grupe kriminale serbe sulmuan KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, me ç’rast mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

Një ditë më herët, ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit.

Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.