Rajon - Botë

Kinë, shënohen temperaturat më të larta të vitit

Kryeqyteti i Kinës, Pekini, është përballur me mot jashtëzakonisht të nxehtë javët e fundit, pasi një valë e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të pjesëve veriore të vendit, raporton Anadolu.

Në Pekin sot u regjistruan temperatura mbi 39 gradë Celsius ndërsa Enti meteorologjik këshilloi banorët të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua tha të premten se tetë kryeqytete provinciale regjistruan temperaturat më të larta të vitit. Enti Meteorologjik i Kinës (CMA) ka paralajmëruar se temperaturat në Pekin do të kalojnë 37 gradë Celsius në ditët në vijim.

Njerëzit në rrugët e Pekinit u përpoqën të mbroheshin nga dielli duke përdorur çadra, kapele dhe rroba me mëngë të gjata.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, dukuria e motit El Nino ndodh në rajonet qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor në intervale nga dy deri në shtatë vjet. Lëkundjet jugore të El Nino-s çojnë në ngjarje ekstreme të motit në hemisferën jugore ndërsa lëkundjet veriore shkaktojnë nxehtësi të fortë, reshje dhe stuhi në kontinentin e Azisë.

Pasi përjetoi një nga verat më të thata të regjistruara vitin e kaluar, Kina pritet të përballet me nxehtësi ekstreme dhe thatësira të mundshme këtë vit për shkak të El Nino-s.