Diaspora

Këngët për kreshnikët shqiptarë po jehojnë në Universitetet më të njohura në Amerikë

Eposi i Kreshnikëve jehon prej Universitetit të Columbias deri në Harvard

Përurimi i librit, lahutari Isë Elezi dhe shfaqja e dokumentarit në Universitetin e Harvardit
Përurimi i librit, lahutari Isë Elezi dhe shfaqja e dokumentarit në Universitetin e Harvardit

“Wild Songs, Sweet Songs” ka çuar në SHBA rrëfimin e dëshmitë për Eposin e Kreshnikëve. Është përuruar në Universitetin e Harvardit, që e ka botuar, në atë të Columbias sikurse edhe në federatën “Vatra”. Atje ka qenë Zymer Neziri, njëri prej redaktorëve të librit tok me lahutarin Isë Elezi. “Të pranishmit patën mundësi ta shohin të gjallë edhe zërin e eposit, zërin e lahutës, veshjen tonë të moçme kombëtare të Rugovës dhe kjo ishte kënaqësi për ta, por edhe mundësi që të prekin të gjallë një traditë që nuk e ka të gjallë më Evropa”, ka thënë Neziri

Libri “Wild Songs, Sweet Songs” me nëntitull “The Albanian Epic in the Collections of Milman Parry and Albert B. Lord”, redaktuar nga Nicola Scaldaferri, Victor A. Friedman, John Colsti dhe Zymer Neziri, është promovuar në dy qendra të ndryshme universitare të SHBA-së. Vepra, e cila në vitin 2021 u botua nga Universiteti i Harvardit, pati një promovim në këtë universitet, një në Universitetin e Columbias në New York sikurse edhe një në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës, “Vatra” në New York.

Libri ofron katalogë të teksteve dhe të regjistrimeve të mbledhura nga dy studiues të poezisë gojore, Milman Parry dhe Albert B. Lord.

“Në vitet 1930, Milman Parry dhe Albert B. Lord, dy studiues pionierë të poezisë gojore, kryen një punë aventureske në territorin e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Shqipërisë veriore, duke mbledhur shembuj të veçantë e të rëndësishëm të këngës epike shqiptare. “Wild Songs, Sweet Songs” (Këngë të egra, këngë të buta) prezanton për herë të parë këto materiale, të papublikuara më parë”, thuhet në përshkrimin e veprës.

Më 28 mars libri u promovua në ambientet e Universitetit Harvard në Cambridge, Massachusetts, për të vazhduar më 30 mars në Universitetin e Columbias në New York e më pas më 31 në “Vatra”, New York.

Në promovimin e librit mori pjesë edhe studiuesi i letërsisë popullore shqipe, profesor Zymer Neziri. Për KOHËN, nëpërmjet një bisede telefonike, ka thënë se ky është një promovim me peshë i Eposit të Kreshnikëve, një trashëgimi për të cilën Neziri punon tash e sa vjet dhe është njëri prej zërave kryesorë në promovimin e saj.

“Libri është i përgatitur me standardet më të mira teknike shkencore. Ligjërata ime ka të bëjë me gjendjen e Eposit të Kreshnikëve në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët sot, domethënë në pesë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi – pjesa e luginës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Kemi të bëjmë me përcjelljen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve për në UNESCO sepse atje kërkohet pos arkivave dhe botimeve, edhe pjesa dëshmuese e jetës së gjallë të Eposit”, ka thënë Neziri.

I pranishëm në tri promovimet ishte edhe lahutari i njohur nga Rugova, Isë Elezi, i cili ka performuar disa nga këngët e këtij Eposi. Përurimet janë shoqëruar edhe me dokumentarin “Eposi i Kreshnikëve” të Donika Dabishevci. Teksa ka folur për organizimin dhe promovimin e librit “Wild songs, sweet songs”, Neziri ka përmendur edhe rëndësinë e ruajtjes së Eposit të Kreshnikëve dhe rëndësinë e madhe që ka ai për kulturën shqipe.

“Pra, si ligjëratën që e mbajta në Harvard, në organizim të lidhjes së studentëve shqiptarë, të njëjtën e mbajta edhe në New York po ashtu në organizim të shkëlqyer të studentëve shqiptarë të Universiteti të Columbias. U përurua edhe filmi, por edhe lahuta e Isë Elezit. Të pranishmit patën mundësi ta shohin të gjallë edhe zërin e eposit, zërin e lahutës, veshjen tonë të moçme kombëtare të Rugovës dhe kjo ishte kënaqësi për ta, por edhe mundësi që të prekin të gjallë një traditë që nuk e ka të gjallë më Evropa, nuk e kanë gjermanët atë të Eposit të Nibelungëve e as francezët, nuk e kanë një epos të gjallë, siç është ky yni”, ka vlerësuar Neziri.

Ka përmendur edhe anashkalimin e madh që shtetet shqiptare i kanë bërë Eposit dhe ka shtuar se një gjë të tillë e pohoi edhe gjatë njërës prej këtyre ligjëratave. Neziri për gati dy dekada ka qenë nismëtar i futjes së Eposit nën mbrojtje të UNESCO-s.

“Kjo natyrisht na bënë krenarë, por unë e thash edhe aty, kur u pyeta nga publiku, se kur jemi te kujdesi shtetëror, ai nuk është i mjaftueshëm. Instituti i Eposit nuk u themelua kurrë. Kemi pritur gati te secili ministër për themelimin e tij por edhe kjo nuk ndodhi. Rreth 30 vëllime janë duke pritur që të botohen, janë në dorëshkrim por edhe ato janë lënë. Dhe ato janë një pasuri e madhe dhe një pasuri që brezat që po vijnë ta kenë rastin të krenohen me këtë vlerë që nuk e kanë të tjerët, por shpresoj që ministritë tona të hapin rrugë dhe të krijojnë rrethana më të mira”, ka thënë Neziri.

Për titullin e librit ka thënë se ka kuptim të gjerë. “Të ëmbla për shkak të dy-tri njësive që janë lirike dhe natyrisht ku është ëmbla është lirika dhe kjo e egra, e vështira është epika”, ka thënë ai.

Në përurimin në Universitetin e Columbias të premten pasdite, ka marrë pjesë edhe ambasadori, Blerim Reka, shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York. Ka përmendur edhe nevojën që Eposi të bëhet pjesë e UNESCO-s.

“Prezantim dinjitoz i trashëgimisë sonë kulturore në Universitetin Columbia të Nju Jorkut me promovimin e librit të Prof.Dr. Zymer Nezirit: ”Wild songs, sweet songs”, (Harvard, 2021). Libri përmbledh hulumtimin e 600 mijë vargjeve të këngëve kreshnike shqiptare, të cilat janë eposi i fundit i mbijetuar në Evropë. Gjatë promovimit, u shfaq edhe filmi dokumentar: ‘Eposi i Kreshnikëve’, e lahutari, Isë Elezi, ekzekutoi një nga këto këngë. Duke qenë në kategorinë ‘trashëgimia në rrezik’, eposi kreshnik kërkon mbrojtje urgjente nga UNESCO”, ka shkruar Reka në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Përveç këngëve në gjuhën angleze, në libër, paralelisht me anglisht është edhe versioni origjinal, shqip. Megjithatë libri ka një histori të gjatë deri te botimi i tij më 2021. Rrugëtimi i tij ka nisur qysh para 20 vjetësh.

“Libri është edhe shqip edhe anglisht. Studiuesi ka mundësi që ta shohë edhe origjinalin edhe përkthimin në gjuhën angleze. Por shkaku i redaktimit, i cili është bërë nga Nicola Scaldaferri, botimi është vonuar rreth 20 vjet. Nga vitit 2002 kur e kam dorëzuar projektin për botim dhe kur kam kryer hulumtimet në Harvard. Libri është botuar në vitin 2021, por projektin e kam dorëzuar në vitin 2002 në emër të Instituti Albanologjik. Është miratuar në pranverë 2003. Megjithatë, tani e kemi një libër të nivelit të asaj shkolle që ia ruan autoritetin”, ka thënë Neziri.

Image
Lahutari Isë Elezi në Universitetin e Columbias
Nicola Scaldaferri është profesor i asociuar në Universitetin e Milanos, ku është drejtor i LEAV (Laboratori i Etnomuzikologjisë dhe Antropologjisë Vizuale). Ka përfunduar doktoratën në Muzikologji në Universitetin e Bolonjës, diplomën për Kompozicionin në Konservatorin e Parmës. Ai gjithashtu ka qenë edhe Fulbright student në Universitetin e Harvardit dhe profesor mysafir në Universitetin Shtetëror të Shën Peterburgut. Interesat e tij përfshijnë muzikën dhe teknologjinë e shekullit të 20-të, epikën ballkanike, muzikën popullore italiane, instrumentet nga Afrika Perëndimore e të tjera. Në promovimin e librit në Harvard, Nicola Scaldaferri ishte inkuadruar përmes Zoomit.

“Nicola Scaldaferri dhe bashkëpunëtorët e tij ofrojnë një katalog të plotë të teksteve dhe regjistrimeve shqipe të mbledhura nga Milman Parry dhe Albert B. Lord, një përzgjedhje e cila përfshin dymbëdhjetë tekstet më domethënëse, si Eposin më të gjatë shqiptar të mbledhur ndonjëherë, në shqip me përkthimet shoqëruese në anglisht; katër ese që kontekstualizojnë materialet dhe nënvizojnë rëndësinë e tyre; dhe një shumëllojshmëri fotografish dhe dokumentesh përkatëse. Libri është një udhërrëfyes autoritar i një prej koleksioneve më domethënëse të eposit popullor ballkanik që ekziston”, thuhet ndër të tjera në përshkrimin e librit.

Një shkrim kushtuar promovimit të “Wild songs, sweet songs” në Federata Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” ka bërë edhe gazetari Sokol Paja, kryeredaktor i gazetës “Dielli”.

“Prof. Dr. Zymer Neziri në fjalën e tij para të pranishmëve ndër të tjera theksoi se Eposi i Kreshnikëve është kryevlerë poetike e folklorit shqiptar. I takon edhe vendi te kryevlerat në UNESCO. Është vijimësi e këndimit epik ilir-arbëror dhe cikël me fill historik nga koha e ardhjes së fiseve sllave në Gadishullin Ilirik. Eposi i Kreshnikëve bashkëjeton me ciklet epike heroike historike, nga Beteja I e Kosovës, 1389, e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare, 1997–2001. Eposi të Kreshnikëve i takon një vend i rëndësishëm edhe në folklorin botëror. Eposi i Kreshnikëve duhet të konsiderohet i madh ndër më të mëdhenjtë e botës, citoi ai”, shkruhet në lajmin e publikuar në gazetën “Dielli”.