September 7, 2024
BallinaMaqedoni

KE: RMV-ja zbatoi reforma – mbetet shqetësimi për mbrojtjen nga ndikimi!

Për herë të parë në Raportin vjetor për sundimin e drejtësisë në BE për vitin 2024, të përgatitur nga Komisioni Evropian, përfshihen katër vende të Balkanit Perendimor edhe atë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Në raport thuhet se Maqedonia e Veriut zbatoi disa valë të reformave në gjyqësor dhe miratoi strategji të re për gjyqësinë por megjithatë pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për mbrojtje të tij nga ndikimi joadekuat përfaqësojnë shqetësim serioz.

Në raportin e KE thuhet se niveli i pavarësisë së përcaktuar në gjyqësor është shumë i ulët, shqetësim mbetet edhe pavarësia e Këshillit Gjyqësor, emërimi i prokurorëve publikë dhe gjykatësve.

Sipas KE-së, janë ndërmarrë masa për përmirësimin e transparencës, veçanërisht nën patronazhin e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe të Këshillit Gjyqësor dhe janë vendosur kode etike edhe për prokurorët dhe gjykatësit.

Në raport theksohet se është vendosur strategji kombëtare gjithpërfshirëse antikorruptuese, por ka ngecje në zbatimin e saj.

“Rreziku i lartë nga korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal kanë dobësuar kornizën ligjore, duke ndikuar negativisht në përballjen me korrupsionin, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Kufizimet e burimeve dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kombëtare pengojnë përballjen efikase me korrupsionin dhe parandalojnë krijimin e një rekordi të qëndrueshëm të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë” – thonë nga KE-ja.

Sipas KE-së, polarizimi politik në parlamentin e RMV-së shkaktoi vonesa në miratimin e ligjeve, duke çuar në “përdorim të tepruar dhe ndonjëherë të papërshtatshëm të procedurave të përshpejtuara legjislative”.