Katastrofa demografike në Maqedoni
Shkruan: Enver Robelli
Mes vitit 2011 dhe 2019 nga Maqedonia janë larguar 700 mijë qytetarë, sipas zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi. Për një vend të vogël si Maqedonia, me vetëm 2 milionë banorë, kjo është thjeshtë katastrofë demografike. Situata është e ngjashme edhe në vendet e tjera të Ballkanit.
Emigrimi paraqet rrezik pothuaj ekzistencial për vendet e Ballkanit. Ky zhvillim alarmant rrezikon t’i shndërrojë shtetet e Ballkanit në “koloni me plaka e pleq”. Shtetet perëndimore, e sidomos Gjermania, prej vitesh janë duke ndjekur një politikë të dëmshme ndaj Ballkanit: shtetet e Ballkanit financojnë, për shembull, arsimimin e mjekëve, infermierëve, inxhinierëve dhe profesionistëve të tjerë dhe Gjermania pa pothuaj asnjë kundërshpërblim vjen si një kombajnë korrëse dhe i merr profesionistët, por edhe punëtorët e krahut. Kjo nuk është ndihmë për rajonin, por kontribut i rrezikshëm në depopullimin e rajonit.
Qeveritë e shteteve të Ballkanit duhet të mendojnë seriozisht për një strategji kundër emigrimit. Në Kosovë ky problem do të ashpërsohet me heqjen e vizave (përtej faktit qe regjimi i vizave është padrejtësi). Të gjitha shoqëritë në Ballkan prej vitesh janë duke e paguar çmimin e qeverisjes së dobët me dekada dhe mbi të gjitha çmimin e pandëshkueshmërisë së atyre që nuk kanë parë gjë tjetër përveç xhepit të tyre.