Maqedoni

Kasami: Tetova ka 100 ton mbeturina në ditë, deponia Rusino pranonte vetëm 40 ton

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, theksoi se grumbujt e mbeturinave që janë krijuar rreth kontejnerëve gjatë ditëve të fundit, janë për faktin se nuk kishte ku të dërgoheshin të gjitha mbeturinat nga qyteti. Kasami sqaroi se është zgjidhur problemi me deponinë Rusino, ku kishte një limit mbeturinash.

BILALL KASAMI, KRYETAR I KOMUNËS SË TETOVËS

“Në deponinë Rusino kishte urdhër nga drejtori që të mos pranonin më shumë se 40 tonë mbeturina, ndërsa ne kemi 100 tonë mbeturina në ditë. Tani e kemi zgjidh problemin me deponinë Rusino dhe tashmë ajo I pranon të gjitha mbeturinat. Ne punojmë në orët e natës, që ato deponitë e vogla, një nga një, të pastrohen dhe të kthehen në normalitet, në mënyrë që kompania publike, gjegjësisht operatori privat të mund të menaxhojë në pjesën e pastrimit të kontejnerëve”

Kasami pret që me restrukturimin e ndërmarrjes publike të ketë më shumë mundësi për të menaxhuar funksionimin e sipërfaqeve publike dhe gjelbërimit ashtu siç është bërë sot. Riorganizimi i Ndërmarrjes së Higjienës Komunale do të sjellë më shumë mundësi për rregullimin e qytetit, ku siç tha Kasami, do të ketë plane të veçanta për mbjelljen e luleve dhe pemëve.

Ndërkaq për përmirësimin e situatës me higjienën komunale, Kasami tha se në të gjithë qytetin do të shpërndahen 400 kontejnerë të rinj dhe bëri thirrje tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm më shumë.