Kasami: Mbi 5000 mërgimtarë kanë ardhur për të votuar VLEN-in
Sot bartësi i listës nga Koalicioni VLEN në NJZ 6 dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami mbajti një konferencë shtypi ku shpalosi ofertën e Koalicionit VLEN e cila ka të bëjë me mërgimtarët. Kasami, përcjell SHENJA, tha se koalicioni VLEN angazhohet për subvencionim të taksave dhe tatimeve të mërgimtarëve që kthehen në vend, si dhe përgjysmim të tatimit mbi fitimin dhe aplikim të sistemit të kredive.
“Mbi 5000 mërgimtarë kanë ardhur për të votuar në zgjedhjet e 8 majit, priten ende të vijnë edhe sot edhe në ditët në vijim deri në 7 maj, kur do të vijnë edhe kontixhenti i fundit i mërgimtarëve. Ne urojmë që ata të mos kenë pengesa në kufi, sepse kemi informata që pushteti I BDI-së tenton të problematizojë ardhjen e tyre dhe kemi informata që kanë nxjerrë militantë partiakë të punësuar në doganat e Maqedonisë dhe në policinë e shtetit për të penguar dhe për të orientuar se kë do votojnë”, ka deklaruar Bilall Kasami.