Kapet plaku serb në Gjilan duke vjedhur mjaltë nga kosheret e bletave
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë. Të njëjtin fat e pati edhe një person në Gjilan, i cili dyshohet për vjedhje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Dragoslav Vasiq, 69-vjeçar.
Vasiq është arrestuar në fshatin Buzovik, pasi i njëjti dyshohet se kishte tentuar që të vidhte koshere të bletëve. Kjo ka bërë që Policia në koordinim me Prokurorinë të kryejë bastisje në pronat e tij, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar një numër i madh i koshereve të vjedhura.
Po ashtu, gjatë bastisjes janë gjetur edhe armë zjarri, granatë dore, fishekë e mjete tjera të kundërligjshme.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë M48, një granatë dore, 28 fishekë, tri gëzhoja, 7 boca gazi për pistoletë dhe 4 detonatorë elektronik. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet për deminim të FSK-së dhe KFOR-it që e kanë tërhequr granatën e dorës dhe kanë shpërthyer detonatorët pa incidente”, njoftoi Policia.
I moshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vjedhje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.