Kapet 2.7 tonë kokainë dhe qindra mijëra euro, goditet karteli ballkanik i drogës (VIDEO)
Një megaoperacion i Europol në bashkëpunim me policitë e Brazilit, Portugalisë, Francës, Serbisë, Kroacisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Spanjës ka bërë të mundur çmontimin e një karteli ballkanik që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në drejtim të Evropës.
Si pasojë e operacionit të zhvilluar më 24 gusht, por të bërë publik këtë të premte nga Europol u arrestuan 6 persona, si dhe u sekuestruan 2.7 ton kokainë.
Gjithashtu Europol ka bërë kontroll në 15 banesa, ku janë konfiskuar 550 mijë euro, ora dhe automjete luksoze si dhe janë bllokuar disa llogari bankare.
Hetimi nisi në janar të vitit 2022, nga Departamenti i Policisë Kriminale në Beograd pas marrjes së informacioneve nga shërbimet e huaja për opereimin e një karteli ballkanik i përfshirë në trafikun me shumicë të kokainës.
Hetuesit identifikuan një shtetas serb si një nga organizatorët kryesorë të rrjetit kriminal. Mbajtja nën vëzhgim e tij dhe kontakteve që ai kishte me bashkëpunëtorë të tjerë bëri të mundur kapjen e anijes me 2.7 ton kokainë e cila do të nisej nga Brazili me destinacion Capo Verden në Afrikë, e që më pas do të sillej në Evropë.
Inteligjenca operative vuri në dukje se kapitenët e kartelit, me kombësi ukrainase dhe çeke udhëtuan disa herë në Capo Verde ose vende të tjera në Afrikën Perëndimore për të përgatitur anijet e tyre për këto operacione kontrabande.
Informacioni operacional i siguruar së fundmi zbuloi se anija ndodhej në Brazil. Kjo u mundësoi autoriteteve braziliane dhe spanjolle, të mbështetura nga MAOC-N, të monitoronin nga afër lëvizjet e saj. Dhe të bënin sekuestrimin e sasisë së madhe të kokainës.