May 2, 2024
Rajon - Botë

Kancelarja Merkel u largua me lot në sy, mikja e madhe e shqiptarëve përfundoi mandatin 16 vjeçar

Olaf Scholz është konfirmuar zyrtarisht si Kancelari i ri i Gjermanisë, duke marrë drejtimin e qeverisë së re të formuar nga tre parti. Me 395 vota pro dhe 303 kundër, Scholz u zgjodh si pasuesi i Angela Merkel, e cila lë detyrën pas 16 vitesh.
Qeveria e re e Scholz formohet nga partia e tij, ajo Social Demokrate, si edhe Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë. Dorëzimi i Kancelarisë i jep fund karrierës 31-vjeçare të Merkel në politikë.
63-vjeçari mori më shumë vota gjatë zgjedhjeve të shtatorit, për shkak se u prezantua si një kandidat që do të vijonte punën e Merkel, pasi kishte shërbyer si zv.kancelar në qeverinë e saj.
Ai ka qenë edhe ministër i Punëve dhe çështjeve Sociale në qeverinë e Merkel në fund të viteve 2000. Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2018, ishte kryebashkiak i Hamburgut.
Edhe pse vijnë nga parti me prirje të ndryshme, Scholz dhe Merkel kanë një stil të ngjashëm politik. Angela Merkel ndoqi votimin si e ftuar në sallën e Bundestagut. Pas 16 vitesh dhe 16 ditësh në pushtet, ajo u largua me lot në sy nga kabineti dhe nuk arriti të thyente rekordin e Helmut Kohol si kancelari që ka qëndruar më gjatë në pushtet me vetëm 10 ditë.