September 28, 2024
Rajon - Botë

Javën e ardhshme në Athinë zhvillohen konsultimet politike mes Turqisë dhe Greqisë

Takimi i Planit të Përbashkët të Veprimit dhe konsultimet politike midis Türkiyes dhe Greqisë janë planifikuar të mbahen në Athinë më 16-17 tetor, tha sot Ministria e Jashtme turke, transmeton Anadolu.

Në kuadër të dialogut për Agjendën Pozitive, delegacionet e kryesuara nga zëvendësministri turk, ambasadori Burak Akçapar, dhe homologu grek Konstantinos Fragogiannis do të zhvillojnë një takim më 16 tetor, tha ministria në një deklaratë.

“Është planifikuar një rishikim i progresit të bërë që nga takimi i fundit në Ankara më 22 mars 2023 … për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në tregti, ekonomi, energji, transport, arsim, shëndetësi dhe mjedis, si dhe marrëdhëniet shoqërore”, thuhet në deklaratë.

Do të hulumtohen gjithashtu fusha të reja bashkëpunimi që mund të përfshihen në proces.

Ndërkohë, në kuadër të konsultimeve të rregullta politike mes ministrive të jashtme të dy vendeve, më 17 tetor do të zhvillohen bisedime në nivel delegacioni për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështje rajonale dhe ndërkombëtare.