May 4, 2024
Rajon - Botë

Izraeli përsërit kërkesën që palestinezët në Gaza të lëvizin vetëm në jug

Ushtria izraelite të dielën përsëriti kërkesën e saj që palestinezët në Rripin e Gazës duhet të lëvizin vetëm në jug, veçanërisht gjatë pauzës aktuale humanitare katër-ditore, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee publikoi ​​”një mesazh të përsëritur dhe të rëndësishëm për banorët e Rripit të Gazës gjatë periudhës së pezullimit të përkohshëm të operacioneve ushtarake”.

Banorët e Gazës duhet të “lëvizin në jug të Rripit të Gazës”, tha ai, duke i paralajmëruar ata “të mos përpiqen të kalojnë në veri të Rripit të Gazës, sepse është zonë lufte”.

Adraee paralajmëroi gjithashtu se “hyrja në det është e ndaluar” si dhe “afrimi në kufirin midis Gazës dhe Izraelit në një distancë prej një kilometër”.

“Izraeli nuk do të lejojë asnjë lëvizje nga Rripi jugor i Gazës në veri”, theksoi ai.

Izraeli fillimisht ftoi banorët e Rripit të Gazës veriore të lëvizin në jug menjëherë pas fillimit të konfliktit më 7 tetor, pavarësisht paralajmërimeve se një migrim i tillë masiv do të çonte në një fatkeqësi humanitare. Shumë vepruan, duke shpresuar se jugu do të ishte më i sigurt, por edhe në Rripin jugor të Gazës kishte sulme të shpeshta dhe vrasje të civilëve.