Izraeli ka arrestuar 24 gazetarë palestinezë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori
Sindikata e Gazetarëve Palestinezë (PJS) njoftoi se forcat izraelite arrestuan tre gazetarë të tjerë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e çuar në 24 numrin e gazetarëve të arrestuar në këtë territor nga 7 tetori, transmeton Anadolu.
Arrestimet e fundit e kanë çuar numrin e përgjithshëm të gazetarëve të mbajtur në burgjet izraelite në 39, tha PJS-ja në një deklaratë.
Tensionet janë rritur në gjithë Bregun Perëndimor që kur shpërthyen luftimet midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas pas ofensivës së befasishme ndërkufitare të këtij të fundit. Të paktën 163 palestinezë janë vrarë dhe 2.250 të tjerë janë plagosur nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që atëherë, sipas zyrtarëve.
Ndërkohë, forcat izraelite arrestuan edhe 65 palestinezë të tjerë në Bregun Perëndimor, duke e çuar totalin e arrestimeve të palestinezëve brenda një muaji të fundit në 2.215, sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë.
Para konfliktit të fundit, numri i palestinezëve të ndaluar në burgjet izraelite ishte rreth 5.200, shumica e të cilëve mbaheshin pa akuza apo gjyq.