May 4, 2024
Rajon - Botë

Izraeli: Gaza tani është e ndarë në dy pjesë

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha të dielën se e kanë ndarë Rripin e bllokuar të Gazës në dysh dhe e kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Tani ekziston Gaza veriore dhe Gaza jugore”, tha Hagari, duke vënë në dukje se forcat izraelite e kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës.

Hagari deklaroi se do të lejojnë gjithashtu civilët palestinezë në Gazën veriore të kalojnë në jug.

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me sulmet në Gaza, Hagari theksoi se forcat izraelite aktualisht po kryejnë sulme të rëndësishme në rajon.

Forcat izraelite vazhduan të kryejnë sulme ajrore në Rripin e Gazës të dielën vonë, duke vënë në objektiv kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës përsëri mbrëmë.

Burimet mjekësore konfirmuan për Anadolu se sulmet ajrore izraelite shkaktuan viktima të konsiderueshme, ku plotësisht u shkatërrua një bllok apartamentesh në kampin e refugjatëve Al-Shati në qytetin e Gazës.

Nëpër video dëgjohen shpërthime të forta, ndërtesat janë në flakë dhe tymi shihet mbi qytet.

Ushtria izraelite paralajmëroi më 2 nëntor se do të nisë sulme intensive dhe u bëri thirrje banorëve të kampit të refugjatëve Al-Shati që të “evakuojnë urgjentisht zonën”.

Qeveria në Gaza njoftoi mbrëmë se ushtria izraelite po kryen “bombardime intensive” rreth disa spitaleve në veri të Rripit të Gazës, menjëherë pas ndërprerjes së rrjetit të telekomunikacionit.

Kompania Palestineze e Telekomunikacionit lëshoi një deklaratë ku tha se “Izraeli ka ndërprerë linjat e komunikimit dhe si rezultat të gjitha shërbimet e komunikimit dhe të internetit janë ndërprerë plotësisht në Gaza”.

Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.