May 4, 2024
Rajon - Botë

Izraeli diskuton marrëveshjen, Netanyahu: Nëse pengjet lirohen, lufta nuk do ndalet

Izraeli është afër një marrëveshje me Hamasin për lirimin e një pjese të pengjeve. Finalizimi është fare pranë.

Sipas BBC, bëhet fjalë për të paktën 50 izraelitë. Por nga ana tjetër Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan tha se të liruarit do të jenë kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa Izraeli do të nxjerr nga burgjet 150 palestinezë si këmbim.

Megjithatë kushtet e vendosura nga Hamas nuk janë mirëpritur nga të gjithë anëtarët e kabinetit izraelit, ku bëjnë pjesë 38 anëtarë, një pjesë e të cilëve nga partitë më të mëdha të shtetit hebre. Teksa ky pakt i ofruar është duke u diskutuar, Netanyahu njoftoi para nisjes së mbledhjes se lufta pavarësisht çdo vendimi që mund të merret nuk do të ndalet. Ai tha se lirimi i pengjeve është prioritet për qeverinë e tij, por Izraeli nuk do të ndalet derisa të eleminojë të gjithë grupin e Hamas.

“Përpara nesh sonte është një vendim i vështirë, por është vendimi i duhur: të gjitha forcat e sigurisë e mbështesin atë plotësisht.

Ata e kuptuan se përpjekja e luftës jo vetëm që nuk do të dëmtonte, por edhe e kundërta: kjo do të lejonte IDF [Forcat e Mbrojtjes së Izraelit] të përgatiteshin për vazhdimin e luftimeve. Dhe do të doja ta bëja të qartë këtu përsëri: lufta vazhdon, lufta do të vazhdojë derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona: të eliminojmë Hamasin, të kthejmë të gjithë pengjet tona, të sigurojmë që një ditë pas Hamasit, Gaza të mos jetë më një kërcënim për Izraelin, nuk do të ketë asnjë element në të që mbështet terrorizmin, që i edukon fëmijët e tij për terror dhe që kërcënon shtetin e Izraelit”, tha Netanyahu në një deklaratë video në fillim të takimit.

Marrëveshja e negociuar nga Katari dhe SHBA, edhe për presidentin Joe Biden është shumë pranë finalizimit pasi grupet negociatorë kanë bërë progres në diskutime. Nëse Izraeli do e pranojë këtë gjë, atëherë në Gaza do të ketë dhe një pushim katër ditor të luftimeve, që do të shërbejë për furnizimin me ndihma të banorëve. Deri më tani nga bombardimet sipas Ministrisë së shëndetësisë e Gazës që drejtohet nga grupi terrorist i Hamas më shumë se 14,000 njerëz kanë humbur jetën nga bombardimet që nga 7 tetori.

Ndërkohë nga ana tjetër janë vrarë rreth 1200 izraelitë dhe janë marrë peng më shumë se 200 të tjerë.